Rrëzohet aktakuza ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimeve Publike në Drenas

Rrëzohet aktakuza ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimeve Publike në Drenas

Gjykata e Apelit ka liruar nga akuza e “keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, ish-drejtoreshën e Shërbimeve Publike në Komunën e Drenasit, Hyrije Xhemajlaj–Thaqi.

Vendimin përkitazi me hudhjen e aktakuzës e bëri të ditur për “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i Xhemajlaj–Thaqit, avokati Gazmend Halilaj.

Procedura penale është pushuar edhe ndaj të pandehurve tjerë në këtë rast Shyqri Bublaku, Vehbi Jashari dhe Naim Berisha, të cilët akuzoheshin për të njëjtën vepër.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë nuk përmban elementet qenësore të cilat parashihen me dispozitat ligjore.

Sipas aktvendimit në fjalë, aktakuzës i ka munguar fakti se në çfarë cilësie kanë qenë të gjithë të pandehurit dhe veprimi konkret i tyre ku nuk përshkruhen koha, vendi i kryerjes së veprës penale si dhe mënyra me të cilën është kryer kjo vepër penale.

Tutje, në aktvendimin e Apelit thuhet se ka munguar edhe dashja si element qenësor i kësaj vepre penale, përfitimi i çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, dhe se nuk është arritur të vërtetohet edhe fakti se kush është dëmtuar me veprimet e të pandehurve.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Fikrije Fejzullahu, Hyrije Xhemajlaj-Thaqi, Shyqri Bublaku dhe Vehbi Jashari, në muajin shtator të vitit 2015, si persona zyrtar në Komunën e Drenasit, në bashkëkryerje pretendohej se kanë shkelur nenin 81.2 të Ligjit mbi Prokurimin Publik.

Një gjë të tillë sipas Prokurorisë, të njëjtit e kishin bërë duke nënshkruar kontratë mes Komunës së Drenasit dhe kompanisë “Agribau”, drejtor i të cilës është i pandehuri tjetër në këtë rast Naim Berisha.

Të pandehurit e lartpërmendur, pretendohej se kompanisë në fjalë ia kishin bërë pagesën prej 110.000 euro, për blerjen e një kamioni për fikjen e zjarrit, ndërsa mallin e kontraktuar nuk e kishin pranuar në kohë të duhur, duke qenë në dijeni se kamioni nuk i plotësonte kriteret sipas kontratës.

Në aktakuzë thuhej se pas ekzaminimit nga ekspertët, kamioni kishte qëndruar në pikën doganore, në Han të Elezit, për shkak të mos përmbushjes së kritereve të parapara me kontratë.

Ndërsa Naim Berisha, akuzohej nga prokuroria se u kishte ndihmuar të akuzuarve të lartpërmendur, duke iu premtuar atyre fshehjen e përfitimit që rrjedh nga kryerja e veprës penale.

Në këtë mënyrë sipas aktakuzës, Berisha kishte pranuar pagesën prej 110.000 euro, duke mos e zbatuar kontratën e lidhur në mes firmës së tij dhe Komunës së Drenasit. Përderisa supozohej se për shkak të mos plotësimit të parametrave me kontratë, Berisha nuk e kishte dorëzuar kamionin në kohë, e për një të tillë kishin pasur njohuri edhe të akuzuarit e tjerë.