Rreziku për zemrën vjen nga truri

Rreziku për zemrën vjen nga truri

Pasojat e stresit të vazhdueshëm në zonat e thella të trurit shpjegojnë rrezikun e rritur për atake kardiake. Një studim i fundit i botuar në revistën “Lancet” ka pasur në fokus 300 persona.

Ata me aktivitet më të lartë në zonën e trurit të njohur si amygdala, ishin më të predispozuar të prekeshin nga sëmundjet kardiovaskulare dhe më shpejt se të tjerët. Stresi mund të jetë një faktor i rëndësishëm rreziku, ashtu si edhe pirja e duhanit dhe presioni i lartë i gjakut.

Ekspertët e zemrës thonë se pacientët e rrezikuar duhet të ndihmohen për të menaxhuar stresin. Stresi emocional prej kohësh është lidhur me rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare që prekin zemrën dhe enët e gjakut, por mënyra se si kjo ndodh ka qenë e pakuptueshme. Studimi, i kryer nga një ekip i shkollës mjekësore të Harvardit, vë në shënjestër aktivitetin e shtuar në zonën amygdala, një zonë e trurit kjo që përpunon emocionet si frika dhe zemërimi.

Kërkuesit sugjerojnë se amygdala sinjalizon palcën kockore të prodhojë më shumë qeliza të bardha gjaku, që në këmbim veprojnë mbi arteriet duke i inflamuar ato. Kjo mund të shkaktojë atake kardiake, inflamacion të grykës etj. Si rezultat, kur je i stresuar, kjo pjesë e trurit duket se është një parashikuese e mirë e ngjarjeve kardiovaskulare.

Por, sidoqoftë, ekspertët thonë se nevojiten më shumë kërkime për të konfirmuar këtë zinxhir ngjarjesh.