Rreziku nga robotët

24.03.2017 19:14
Rreziku nga robotët

Më shumë se 10 milionë punonjës britanikë rrezikohen të zëvendësohen nga robotët brenda 15 vitesh, teksa automatizimi i detyrave rutinë po shton ritmet në epokën e zhvillimeve teknologjike.

Një raport i firmës konsultuese “PëC” zbulon se 30 për qind e punëve në Britani janë potencialisht nën rrezikun e pushtimit nga inteligjenca artificiale. Madje në disa sektorë, thuajse gjysma e vendeve të punës do të reduktohen.

Raporti parashikon se automatizimi do të shtojë prodhimtarinë dhe do të krijojë mundësi të reja pune, por shton se nevojitet veprim për të parandaluar thellimin e pabarazisë që do të vijë si rezultat i shfrytëzimit të robotëve për detyra rutinë që s’kanë nevojë për aftësi të rralla.

“PëC” thotë se 2.25 milionë vende pune rrezikohen në sektorët e shitjes me shumicë dhe me pakicë, sektori që punëson më shumë njerëz në Britani, ndërsa 1.2 milionë vende pune kërcënohen në industritë e prodhimit; 1.1 milionë në shërbimet administrative dhe të mbështetjes; si dhe 950 mijë në transport dhe magazinim.

Raporti thotë se impakti më i madh do të jetë ndaj punonjësve që kanë mbaruar shkollën e mesme ose jo, ndaj dhe jep argumentet pse qeveria duhet të ndërhyjë në sistemin e edukimit, mësimin gjatë të gjithë jetës dhe përputhshmërinë në punë, për të siguruar se përfitimet nga automatizimi të mos përqëndrohen vetëm në disa duar. Gjithashtu mund të konsiderohen edhe forma të ndryshme të të ardhurave bazike.