Dhjetëra thasë me mbeturina largohen tek “Fadil Vokrri” – Haradinaj paralajmëron masa ndëshkuese

Dhjetëra thasë me mbeturina largohen tek “Fadil Vokrri” – Haradinaj paralajmëron masa ndëshkuese

Dhjetëra thasë me mbeturina janë mbledhur sot tek stadiumi i kryeqyteti “Fadil Vokrri” nga aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”, aksion ky i organizuar nga Let’s Do It Kosova dhe Qeveria e Kosovës.

Në këtë aksion përveç vullnetarëve të Let’s Do It Kosova, mori pjesë edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, këshilltarja e kryeministrit, Albena Reshitaj dhe tifozët “Dardanët”.

Gjatë këtij aksioni kryeministri Haradinaj tha se jemi shumë të vetëdijshëm për numrin e madh të këtyre mbeturinave mirëpo nga sot e tutje do të ketë gjoba për ata të cilët hedhin mbeturina.

“Po shihet, kjo tregon si është gjendja dhe këtë e kemi lënë gjatë, mirëpo nuk do ta lejojmë më, ndërsa ky aksion e ka peshën e madhe ndërsa sot jemi të vetëdijshëm për këtë. Mirëpo për këtë në të ardhmen do të këtë edhe masa ndëshkuese”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ndërsa koordinatori i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj u shpreh ftoi të gjithë qytetarët që të vazhdojnë ta ruajnë ambientin dhe të ndihmojnë në ruajtjen e ambientit.

“E kemi obligim që të kujdesemi për hapësirat publike dhe bëj apel të gjithëve që të bashkohen në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”. Kështu do të vazhdojmë deri më 15 dhjetor kur do ta kemi Kosovën e pastër dhe do të kujdesimi që këto hapësira të mirëmbahen dhe të ruhen”, ka thënë Hasanaj.

Po ashtu edhe ish-ministria e Mjedisit, tash këshilltare e kryeministrit, Albena Reshitaj tha se sot më shumë se kurrë po vërehet se sa i rëndësishëm është respektimi i ligjeve mjedisore, implementimi i Udhëzimit Administrativ, i cili është gati dhe shumë shpejt do të miratohet nga Qeveria, për të filluar me ndëshkim për ata që ndotin ambientin.

“Ne po e pastrojmë Kosovën, por ajo që do ta mbajë pastër është respektimi i Udhëzimit Administrativ dhe besoj se me këtë kampanjë e cila po përkrahet fuqishëm nga Qeveria do të jepet një mesazh te qytetarët dhe ata të reflektojnë se sa i rëndësishëm është respektimi i ligjit”, tha Reshitaj.

Aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, iu bashkuan edhe tifozët “Dardanët” dhe vullnetarë të tjerë, si dhe kompani të ndryshme të pastrimit.

Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën” ka filluar më 15 shtator dhe do të zgjasë deri më 15 dhjetor, ku aksion është organizim i Qeverisë së Kosovës dhe organizatës jo qeveritare “Let’s Do It Kosova”. /Insajderi.com