Rrëmbim në Ferizaj, arrestohen tre persona

Rrëmbim në Ferizaj, arrestohen tre persona

Hetues të Sektorit Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, kanë arrestuar tre persona, me dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale të Rrëmbimit.

Me datën 07.08.2017, rastin në polici e ka paraqitur babai i viktimës,  i cili ka njoftuar se  katër të dyshuar kanë hyrë në shtëpinë e tij dhe nën kërcënimin e armës e kanë kërkuar djalin e tij, (N.V. 24 vjeç),  i cili sipas të dyshuarve, ua kishte marrë një celular “Iphone 6”.

Sipas dëshmitarëve dhe viktimës,  të dyshuarit, (B.A.  45 vjeç, L.A. 25 vjeç. dhe L.A. 24 vjeç), me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, e kanë futur viktimën në bagazhin e veturës duke e dërguar në shtëpinë e tyre,  në një fshat të komunës së Vitisë. Pas premtimit se viktima do t’ua kthente telefonin, i njëjti është liruar.

Pas  arrestimit, të dyshuarit janë ndalur dhe intervistuar në prezencë të avokatit të tyre.

Tre të dyshuarit, e kanë pranuar se viktimën e kanë marrë në rrugë pa dashjen e tij dhe e kanë dërguar në shtëpinë e tyre. Të njëjtit, nuk kanë kanë pranuar se kanë përdorur armë për ta detyruar viktimën që të futet në veturën e tyre, por sipas tyre, e kanë përdorur një shkrepëse në formë të revoles.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit dërgohen në mbajtje për 48 orë.