Rrehen shqiptarët në një xhami në Zvicër

31.08.2017 14:35
Rrehen shqiptarët në një xhami në Zvicër

Të dielën që shkoi, në një xhami që frekuentohet dhe drejtohet nga shqiptarët, në Gebenstorf të Kantonit Aargau të Zvicrës ka ndodhur një rrahje masive në mes të besimtarëve, shkruan gazeta Aargauer Zeitung.

Shkas për këtë rrahje ka qenë vendimi i kryesisë së xhamisë për t`ia ndërprerë marrëdhënien e punës imamit të xhamisë. Policia e alarmuar ka shkruar në vendin e ngjarjes me dhjetë policë dhe me gjashtë makina policore,ka konfirmuar një zëdhënës i policisë së kantonit për 20minuten.ch.

Nënkryetari i Bashkësisë Islame Shqiptare që udhëheq me xhaminë, Mursel Ibraimov (Ibraimi) ka thënë për mediet zvicerane se sherri ka ndodhur pasi që kryesia e kishte pushuar nga puna imamin e xhamisë, transmeton albinfo.ch. “Pas fjalimit përshëndetës të imamit, u ngritën përkrahësit e tij dhe na sulmuan fizikisht”, thotë Ibraimi.

Sipas tij, imami i cili ka qenë prej tetë vitesh në këtë xhami, kohëve prej kohësh kishte rënë në sy për përçarjen që po e nxiste. Pastaj kryesia ka kuptuar se ai gjatë verës në Maqedoni ishte takuar me imamë radikalë. Kjo ka qenë arsyeja për vendimin që kryesia e mori për ta suspenduar hoxhën.

Por, 8 mbështetës të tij e kishin filluar sherrin që u përshkallëzua në rrahje masive të dielën, ditën që imami po përshëndetej nga besimtarët. Dy nga personat e sulmuar u desh të shkonin në spital për kontrollim, shkruan albinfo.ch.

Këshilli i Komunës Gebenstorf në një letër i ka tërhequr vërejtjen Bashkësisë Islamike Shqiptare se komuna nuk do të tolerojë eksese të tilla. Kjo mënyrë e qasjes në tejkalimin e konfliktit ngjall frikë dhe shqetësim te qytetarët.

“Në veçanti në dritën e zhvillimeve të ndryshme shqetësuese në Evropë, ekseset si ky nuk i kontribuojnë atmosferës së mirë në mesin e popullatës së fshatit. Këshilli Komunal po ashtu ka theksuar se në rast përsëritjeje të zhvillimeve sikur ky, do të shqyrtojë edhe marrjen e masave ligjore.

Kryesia e xhamisë ndërkaq u ka ndaluar hyrjen në xhami tetë personave që kanë nisur sherrin.