Rrëfimi për mësuesin që vrau drejtorin e Arsimit në Prishtinë

Rrëfimi për mësuesin që vrau drejtorin e Arsimit në Prishtinë

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore me të cilin është dënuar më 27 vjet burgim Gani Sahiti. Ai është dënuar për vrasjen e drejtorit të Arsimit në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihun, më 3 tetor të 2011-s. Gjithashtu, ai është dënuar edhe për posedim të paautorizuar të armëve.

Por si kishte ndodhur ngjarja?

Mësuesi Gani Sahiti, më 3 tetor të vitit 2011, kishte marrë revolen e tipit “Cervena Zastava” dhe ishte nisur në drejtim të objektit  të Komunës së Prishtinës në objektin e ri që gjendej në lagjen Arbëria. Kishte marrë me vete edhe 26 fishekë.

Gjykata kishte konstatuar se derisa i ndjeri Remzi Salihu ishte në zyrën e tij duke biseduar me telefon, Gani Sahiti kishte hyrë në zyrën e tij pa paralajmërim me pretendimin se tashmë i ndjeri ishte pengesë për avancimin e tij në punë.

“Në këtë moment i ndjeri nuk priste ndonjë veprim kriminal nga i akuzuari i cili në mënyrë dinake e ka nxjerr revolen nga çanta e dorës dhe prej një distance 2-3 metra ka shtënë 7 herë nga revolja…, në drejtim të të ndjerit. Me shpejtësi ishte larguar nga aty për të hyrë në një veturë të Policisë”, thuhej në aktgjykim.

Prej 26 fishekëve, mësuesi Gani Sahiti kishte shtënë shtatë herë në drejtim të drejtorit të Arsimin, ndërsa 19 të tjerë ia ka dorëzuar policisë menjëherë pasi ia ka marrë jetën atij.

“E vrava ni njeri”, u kishte thënë ai policëve kur ishte futur në veturën e tyre për t’u dorëzuar.

Përpjekjen e tij për t’u bërë drejtor i një shkolle fshati në Dabishevc, Gani Sahiti – biolog e kishte “finalizuar” kur në shenjë hakmarrjeje pse nuk e kishte arritur këtë qëllim kishte ekzekutuar në zyrën e tij në ndërtesë të Komunës, drejtorin e Arsimit, Remzi Salihun.

Gani Sahiti kishte thënë se ishte rrahur për shkakun se kishte konkurruar për postin e drejtorit në shkollën e Dabishecit, gjë të cilën në atë kohë e mohonin zyrtarët komunalë. Kishte akuzuar drejtorin e shkollës së tij, Hamdi Hysenin, se për shkak të konkurrimit për postin e drejtorit të shkollës, e kishte shantazhuar atë, siç është shprehur ai, duke i organizuar edhe sulm fizik.

Sipas tij, kur është shpallur konkursi dhe kur drejtori Hyseni ka kuptuar se ai ka konkurruar për atë post, i ka thënë gojarisht që të tërhiqet, sepse në të kundërtën do të ketë pasoja.

“Unë nuk kam dashur të tërhiqem nga planet e mia, kështu që drejtori ka qitur dy familjarë të tij për të më sulmuar edhe fizikisht”, pati thënë Sahiti, duke shtuar se sulmi ndaj tij është bërë derisa ka qenë në Gllogovicë, aty ku është një paralele e ndarë e shkollës së Dabishecit.

“Të vetmet fjalë të të afërmeve të drejtorit, kur më kanë sulmuar, kanë qenë se ‘ti nuk po u bindesh fjalëve?’”, kishte thënë Sahiti, për të treguar se sulmi i është bërë në Gllogovicë. Ai pati thënë se i ishte ankuar edhe në Drejtorinë e Arsimit në Prishtinës.

Nga ana tjetër, edhe drejtori i shkollës, Hamdi Hyseni, të cilit i adresohet shantazhi dhe organizimi i sulmit ndaj Sahitit, pati mohuar se çështja ka të bëjë me konkursin që është shpallur.

“Unë nuk kam konkurruar në konkurs për drejtor shkolle. Problemi për të cilin më ka akuzuar mua ai arsimtar nuk ka të bëjë fare me konkurs, por për motive të tjera të ulëta”, kishte theksuar Hyseni pa treguar se për ç’motive bëhet fjalë./Insajderi.com