Rrëfimi i librashitësit kosovar për takimin me izraelitin që i shkroi Thaçit

Rrëfimi i librashitësit kosovar për takimin me izraelitin që i shkroi Thaçit

Ishte muaji prill dhe Kosovar Zuka, një nga librashitësit mobil në sheshin “Nëna Terezë” po bënte punën e tij të përditshme: shitjen e librave në tezgën e librarisë “Buzuku”.

Pas një dimri të ftohtë, librashitësit si ai, fillimin e pranverës e konsiderojnë të mirë: më shumë njerëz enden nëpër shesh, më shumë shitje.

Mes shumë qytetarëve vendor që më shumë shikojnë për libra sesa blejnë, Zuka, rreth të 20-ve do të përballej me një klient ndërkombëtarë.

Ai ishte një izraelit, që kishte ardhur në Prishtinë, për të marrë pjesë në një konferencë për lirinë fetare “Interfaith” që kishte filluar me 30 maj 2016.

Zuka nuk e dinte asnjë nga këto detaje. Nuk e dinte se ai ishte një avokues dhe ekspert për luftën kundër anti-semitizmit dhe racizmit. Emri i tij është Ido Daniel.

“Fotografoi librat, tha se do t’i blejë, por nuk u kthye kurrë”

mein-kampf-adolf-hitleri

Për Kosovar Zukën, ai ishte vetëm një klient i radhës. Por me disa pyetje specifike. Për libra specifik.

Në mesin e shumë librave që janë për shtije në tezgën ku punon Zuka, janë edhe librat e Adolf Hitler “Lufta ime” dhe “Ujku Gri” si dhe “Sinagoga e Satanit” bashkë me “Të fshehtat e Mosadit”.

Ishin pikërisht këta libra, kur shtatë muaj më parë ishte pyetur nga Ido Daniel.

“Ka qenë dikur para dy muajve mos gabofsha edhe erdh me këqyri masnej i fotografoj, ma bani pse po i shitni këto ky i ka vra jahudit se unë jam jahudi, unë thash nuk ka kurrfarë problemi ajo”, tregon Kosovar Zuka.

Pyetjet se përse gjinden librat e Adolf Hitler-it si dhe libra të tjerë  me teori konspirative për Izraelin në tezgën e tij, Zuka nuk i kishte marrë seriozisht.

Atij nuk i kishte shkuar ndërmend se Daniel, të njëjtat pyetje së bashku me kolegun e tij Shimon Samuels do t’ia dërgonte edhe presidentit, Hashim Thaçi.

Për shitësin e librave, kureshtja e izraelitit ishte thjeshtë një kureshtje e një lexuesi, apo klienti potencial, i interesuar në libra të tillë.

Megjithatë pyetjet specifike të izraelitit i kishin shtuar disa dyshime.

Zuka tregon se Daniel kishte shprehur edhe nervozizëm për faktin se librat anti-semantik shiten në tezgën e tij.

librat

Këtë nervozizëm, Daniel e ka rrëfyer edhe në një intervistë për “Ynetnews” ,një agjenci izraelite e lajmeve, e cila të martën publikoi  lajmin se pas një ankese nga dy ekspertë të shquar në Izrael, të anti-semitizmit, njëri prej të cilëve është ftuar për një konferencë mbi fenë në Kosovë, Hashim Thaçi “ka ndaluar shitjen dhe shpërndarjen e librave anti-semite që janë në dispozicion në rrugët e kryeqytetit të Kosovës”.

“Sa njerëz janë të ekspozuar ndaj këtij helmi? Mijëra njerëz kalojnë nga atje çdo ditë. Ajo rezulton se ekziston një industri e tërë e literaturës anti-semitike të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të tjera në rajon, si pjesë e një fushate të organizuar e nxitjes kundër hebrenjve në Ballkan “, citohet të ketë thënë Daniel.

Por historia e Kosovar Zukës për takimin me Ido Daniel, ka pak dallime.

“Librat anti-semitik shiten dy ose tri copa në javë”

adolfi-hitleri-ujku-gri-libra

Kosovar Zuka thotë se takimi me Ido Daniel, kishte zgjatur pak, pasi që ai i kishte thënë se do të kthehet të blejë librat që i fillimisht i kishte fotografuar.

Për më shumë se kaq, Zuka nuk e kishte besuar që takimi i tij me Ido Daniel do të bëhej lajm, pasi që sipas tij libra të njëjtë shitën edhe në vendet e tjera. Dhe Zuka ka të drejtë. Librat e njejtë janë të lejuar në të gjithë vendet e Evropës. Madje në Gjermani së fundmi është ribotuar rrëfimi i Hitlerit.

Ido Daniel nuk ishte kthyer tek librashitësi kosovar.

“Jo as që nuk erdhi me i ble librat, nuk më ka shku menja që bahet lajm se nuk është vendi i vetëm që shiten këto libra”, rrëfen Zuka.

Librat për të cilët Ido Daniel ka thënë se janë anti-semist, Kosovari thotë se lexuesit janë të interesuar për ta, ku së paku tre deri në katër libra të tillë shiten për një javë.

adolf-hitler-libra

“Lexohen, por nuk është që e mbajmë biznesin vetëm me to, shiten dy ose tri copa në javë.”

Kosovari thotë se librat që ai ka në shitje janë të vendosur sipas shijes së lexuesve jo për qëllime tjera, por nëse kërkohet për largimin e tyre ai thotë se do ta bëj atë gjithnjë duke respektuar ligjin.

“Nëse  vendosin institucionet pse jo na i hjekum ligji është ligj”, ka thënë ai.

Krejt në fund ai këtë reagim e sheh si politik dhe thotë se këta libra nuk sjellin urrejtje pasi që sipas tij libri i Adolf Hitler  ka kohë kur është bërë dhe ai është bërë vetëm për tu lexuar.

“Kjo është ma shumë çështje politike mendoj ky është libër që e ka shkrua ma herët e jo qe e ka shkrua qitash, ai e ka bë me lexua këta jo sa për urrejtje”, përfundon Zuka, teksa merret me klientët e tjerë.

Shumë nga nuk janë të interesuar për këto libra që ekspertët izraelit e kanë ngritur si cështje deri tek presidenti Hashim Thaçi./Insajderi.com

“Me kërkesë të dy izraelitëve, Presidenti Thaçi ndalon shitjen e librave anti-semite”