Rrëfimi i Selmanajt për marrëveshjen me Janjiqin dhe zgjidhja që ai ofron për rrugën Deçan – Plavë

Në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, deputeti i AAK-së dhe ish-kryetari i Komunës së Deçanit prezantoi një plan për zgjidhjen e situatës së krijuar. Një plan të njëjtë ai e kishte realizuar në vitin 2015, kur shërbente si kryetar në komunë.

Rrëfimi i Selmanajt për marrëveshjen me Janjiqin dhe zgjidhja që ai ofron për rrugën Deçan – Plavë

Rasim Selmanaj i sheh si të panevojshme tensionet e krijuara së fundmi ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Manastirit të Deçanit, lidhur me punimet e rrugës Deçan – Plavë.

“Unë mendoj se edhe Manastiri i Deçanit duhet të tregojë vullnetin, sepse asgjë nuk fiton Manastiri nëse e pengon rrugën”, thotë Selmanaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i cili kishte pasur bashkëpunim në të kaluarën me Manastirin e Deçanit në kohën kur shërbente si kryetar i komunës.

Pas reagimit të murgut të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq dhe ambasadave të huaja – përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – Ministria e Infrastrukturës u detyrua të ndalonte punimet e rrugës Deçan – Plavë që kalon përmes territorit të Manastirit të Deçanit, i cili është pjesë e Zonës së Mbrojtur dhe garantohet sipas Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.

Mirëpo, Rasim Selmanaj thotë se Ministria e Infrastrukturës aktualisht është duke zhvilluar punime vetëm jashtë Zonës së Mbrojtur me ligj.

Në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, deputeti i AAK-së dhe ish-kryetari i Komunës së Deçanit prezantoi një plan për zgjidhjen e situatës së krijuar. Një plan të cilin ai e kishte realizuar në vitin 2015, kur shërbente si kryetar në komune.

Selmanaj posedon një memorandum bashkëpunimi që e kishte nënshkruar ai dhe murgu Sava Janjiq në vitin 2015, me qëllim rregullimin e 2.4 kilometrave rrugë në Zonën e Mbrojtur të Manastirit të Deçanit. Me këtë marrëveshje memorandumi, të cilën ende e posedon, Selmanaj dëshmon se Manastiri i Deçanit mund të lejojë punime brenda Zonës së Mbrojtur të saj dhe se këtë nuk ia ndalon ligji.

“Në një prej takimeve që i kam pasur me Sava Janjiqin dhe ku kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e Ambasadave dhe të KFOR-it në vitin 2015 dhe ku është diskutuar për raporte të mira në mes të Manastirit dhe Komunës, unë ndër të tjera u jam drejtuar duke iu thënë se ‘si të kemi raporte të mira kur na pengojnë të ndërtojmë rrugën rreth Manastirit’”, thotë Selmanaj për Insajderin.

Deputeti i AAK-së rrëfen më tej për marrëveshjen që kishte arritur me Janjiqin në vitin 2015.

“Zotëri Sava është përgjigjur se ‘unë nuk ju pengoj, por është ligji’. Dhe unë e kam thënë të kundërtën, ligji nuk është pengesë. Unë nuk dua të bëjë rrugë të reja, por dua që ta rregulloj rrugën ekzistuese. Në atë moment, Sava ka thënë se ‘për rrugën ekzistuese nuk ju pengoj’”, shprehet Selmanaj.

“Pastaj, përfaqësuesit ndërkombëtar më janë drejtuar me pyetjen se a i kemi mjetet për ta realizuar këtë projekt. Unë i kam thënë ‘po’. Kemi punuar tri javë dhe pas tri javësh ka dalë Janjiq dhe i ka penguar punimet në rrugë.”

Ai thotë se ndalja e punimeve nga Sava Janjiqi në atë kohë ishte e pabazë, pasi më parë ai kishte rënë dakord që të asfaltohej rruga në distancë prej 2.4 kilometrave brenda Zonës së Mbrojtur.

“Ne patëm pasur një marrëveshje në tavolinë, por jo të shkruar”, rrëfen Selmanaj. “Për mua ka qenë e çuditshme përse ka ndërhyrë Janjiq. Pas kësaj, erdhën përfaqësuesit e KFOR-it dhe kërkuan që unë ta ndalojë rrugën. Unë i thash që ‘rrugën nuk e ndali, sepse jemi marrë vesh’.”

“Kam dhënë 48-orë kohë KFOR-it dhe Manastirit të arrinin një marrëveshje me shkrim dhe nëse nuk arrijnë një gjë të tillë athëherë do të vazhdojnë punimet. “Edhe z. Sava edhe KFOR-i u detyruan ta respektonin marrëveshjen dhe e nënshkruam një memorandum bashkëpunimi”, thotë deputeti Selmanaj.

E kjo marrëveshje që Selmanaj si kryetar i Deçanit kishte arritur me murgun Janjiq, është garanci se edhe një marrëveshje mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Manastirit të Deçanit mund të arrihet për punimet në pjesën e mbetur të rrugës brenda Zonës së Mbrojtur.

“Nëse zoti Sava Janjiq në vitin 2015 ka pranuar të nënshkruajë memorandum për një pjesë të Zonës së Mbrojtur me asfaltu rrugë, cila është arsyeja që në të njëjtën zonë të mos ketë një marrëveshje të re që të mos asfaltohet kjo pjesa e mbetur e rrugës brenda Zonës së Mbrojtur”, pohon Selmanaj.

Ai thotë se nuk ka “asnjë arsye” që përfaqësuesit e Manastirit të Deçanit të pengojnë punimet në rrugën Deçan – Plavë.

“Nuk është pengesë ligji, por pengesë është vullneti dhe unë mendoj se edhe Manastiri i Deçanit duhet të tregojë vullnetin, sepse asgjë nuk fiton Manastiri nëse e pengon rrugën”, shprehet Selmanaj në një intervistë për Insajderin.

Gjithashtu, ashtu siç i komentoi sot zhvillimet në Deçan kryeministri Ramush Haradinaj, edhe Selmanaj shprehet me dyshim nëse ambasadat ndërkombëtare në Kosovë i kanë informacionet e sakta lidhur me mosmarrëveshjet mes Qeverisë dhe Manastirit.

“Ambasadat që janë miqtë tanë; miq të Kosovës, mendoj se duhet të jenë më të informuar rreth kësaj teme. Nuk mendoj se ata i kanë informacionet e sakta dhe sigurisht se nuk e posedojnë këtë memorandum”, ka thënë Selmanaj.