Rrëfimi ekskluziv i xhaxhait të 11-vjeçarit: E kidnapuan me një xhip të zi

Rrëfimi ekskluziv i xhaxhait të 11-vjeçarit: E kidnapuan me një xhip të zi

11-vjeçari E.T. nga Shtimja është kidnapuar nga një veturë xhip i zi, ka thënë xhaxhai i viktimës, Xhevdet Tafa.

Në një bisedë telefonike me Insajderin, xhaxhai i 11-vjeçarit të kidnapuar sot në Shtime, Xhevdet Tafa, ka deklaruar se djali i tij po ecte së bashku me 11-vjeçarin E.T.  para se të kidnapohej nga disa persona, “të cilët e futën në një xhip të zi”.

Tafa ka thënë se personat të cilët dyshohen se e kidnapuan djalin e vëllait të tij, e kanë thirrur në emër 11-vjeçarin për t’iu afruar veturës, “e më pas e kanë kidnapuar”.

“E kanë thirrë në emër disa persona në një veturë xhip të zi, ai është afru pastaj e kanë marrë tek kerri dhe e kanë futur brenda”, ka thënë Xhevdet Tafa për Insajderin, teksa ka thënë se ngjarjen atij ia ka rrëfyer djali i tij i madh, i cili e kishte shoqëruar E.T. në momentin e kidnapimit.

Tafa ka thënë për Insajderin se djali nuk dihet në çfarë drejtimi ka shkuar, dhe se prej kidnapimit nuk kanë dëgjuar më asgjë për të.

“Jo nuk kemi dëgju asgjë më prej tij dhe tash po presim pasi e kemi lajmëruar rastin edhe në Polici”, ka thënë xhaxhai i 11-vjeçarit.

Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Agim Gashi ka thënë se rasti që dyshohet të jetë kidnapim ka ndodhur sot rreth orës 19:00 në Shtime.

“Informata qëndron se është kidnapuar një fëmijë 11-vjeçar. Hetimet momentalisht i kemi në vlug dhe më shumë informacione nuk mund të japim”, ka thënë Gashi për Insajderin. /Insajderi.com