Rrëfimi i Berlusconit për jetën e politikën me rastin e 80-vjetorit të lindjes

Rrëfimi i Berlusconit për jetën e politikën me rastin e 80-vjetorit të lindjes

“Politika nuk më ka tërhequr asnjëherë. Më ka bërë vetëm të harxhoj shumë kohë dhe energji. Nëse kam zbritur në fushë, ka ndodhur për të mos lejuar ardhjen e komunistëve në pushtet, duke parë që ‘Tangentopoli’ kishte fshirë praktikisht  historinë dhe protagonistët e të gjitha pesë partive demokratike, që na kishin qeverisur për 50 vjet. Nuk ekzistonin alternativa të tjera. Di vetëm që në politikën e jashtme, më shumë se në atë të brendshme, nuk kam gabuar asnjëherë. Dhe nuk kam zbritur nga pushteti për fajin tim”.

Silvio Berluskoni, me rastin e 80-vjetorit të tij të lindjes (i mbush nesër më 29 shtator), rrëfehet në një intervistë ekskluzive për revistën italiane “Chi”.

Asnjë mik në politikë – Ish-kryeministri italian, flet për marrëdhëniet e tij me botën e politikës dhe përvojën e tij në drejtimin e Forza Italia dhe të vendit, duke u ndalur edhe në raportet personale. “Duke menduar mirë, nuk më vjen në mendje një emër i vërtetë që mund të kem pasur mik në politikë. Por nuk jam tip që ndiej keqardhje: kush ka tradhtuar, nuk më ka tradhtuar mua, por zgjedhësit që e kishin sjellë në Parlament”, – shpjegon Berluskoni.

Dashuria për prindërit – Mes kujtimeve të Berluskonit, është edhe dashuria për prindërit e tij. “Kam pasur një familje të shkëlqyer: mamaja dhe babai më kanë qëndruar gjithnjë pranë dhe më kanë mbështetur edhe kur nuk ishin dakord për disa zgjedhje të miat që i gjykonin të tepruara. Dita më e lumtur dhe ajo më e trishtuar e jetës sime, janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me ata (prindërit)”. Ish-kryeministri kujton si ditën më të lumtur të jetës së tij, atë të cilën i ati, Luigi, një antifashist refugjat në Zvicër, pas 8 shtatorit rikthehet në Itali, duke iu bashkuar familjes në Oltrona të San Mamette-s, komunë në provincën e Komos, ku Berluskonët ndodheshin për t’u shpëtuar bombardimeve. “Isha vetëm 9 vjeç, por atë ditë të largët e kujtoj si të ishte dje, – kujton “Kavaljeri”. – Kur im at zbriti nga treni që vinte nga Komo, më kapi nga krahu dhe më solli mes krahëve në shtëpi, ndërsa unë e mbushja me puthje. Ja, ajo ka qenë dita më e bukur e jetës sime”. Një kujtim special edhe për mamanë, Rosa. “Kur ajo vdiq kam vuajtur shumë. Marrëdhënia jonë ishte speciale: dëgjoheshim në telefon të paktën dy herë në ditë dhe shpesh më thoshte se sa tespie kishte numëruar për mua. Kur ajo vdiq, e zëvendësova me Marinën, e cila për mua sot është nënë, motër dhe vajzë”.

Marrëdhëniet sentimentale – Nga martesa me Carla Dall’Oglio e Veronica Larion, te shoqja aktuale Francesca Pascale, Berluskoni ripërshkruan raportet e tij sentimentale. “Dashuria ka qenë e rëndësishme në jetën time, ndonëse pasioni dhe përkushtimi për punën time, e kanë lënë shpesh në plan të dytë”. “Nuk ka asnjë krizë mes nesh, ndryshe nga ç’është shkruar në gazeta”, – pohon presidenti i Forza Italia-s sa i takon zërave në lidhje me situatën me Pascale-n.

Milan – Nuk mund të mungonte një “vështrim” te Milani i tij, pasioni i madh sportiv i Berluskonit. “Ndiej keqardhje për faktin se nuk kam mundur të punoja siç duhet për Milanin. Nëse në vitet e fundit, Milani nuk ka qenë si dikur, ka ndodhur vetëm sepse nuk kam pasur shumë kohë për t’u kujdesur personalisht”. Pikërisht mbi këtë “braktisje”, Berluskoni komenton duke thënë që “është folur para kohe, pasi për vite kam punuar të paktën tre pasdite në javë me avokatët e mia për të përgatitur 3.600 seanca gjyqësore të 73 proceseve politike që më është dashur të përballem. Megjithatë, jam presidenti i vetëm në nivel klubesh që kam arritur të fitoj më shumë trofe në historinë e futbollit”.

Shëndeti – “Në jetën time, nuk kam menduar asnjëherë për moshën. Përkundrazi, gjithnjë kam jetuar sikur të isha 40 vjeç, sepse kështu ndihesha: plot me kërshëri, dëshirë për të punuar. Pastaj, papritur sëmundja. Dhe pas operacionit, jam bindur që jam një burrë 80 vjeç. Jam duke parë në mënyrë akoma të pasigurt atë që mund të jetë e ardhmja ime”, – zbulon sërish Berluskoni.

Festa e ditëlindjes – Në të vërtetë nuk do të ketë një të tillë. Berluskoni shpjegon: “Do të bëj vetëm një darkë me pesë fëmijët e mi, nuk do ta festoj ditëlindjen. Dhe iu luta të gjithëve që të mos më bëjnë dhurata. Nëse duan ta bëjnë një gjë të tillë, më mirë të bëjnë bamirësi. Gjëja që kam realizuar, ndoshta më e rëndësishmja, është që do të kaloj më shumë kohë me fëmijët dhe nipërit e mi. Do t’iu kushtoj më shumë kohë njerëzve që dua. Siç kam bërë ketë verë. Dhe është e drejtë kështu: pesë fëmijë dhe dhjetë nipërit, më bëjnë një patriark. Dhe unë kështu ndihem”.