Rrëfehet Buffon: Pas Barcelonës mendova tërheqjen

Rrëfehet Buffon: Pas Barcelonës mendova tërheqjen

Pasi Juventusi eliminoi Barcelonën në çerekfinalet e Champions League, duke mos pësuar asnjë gol në të dyja takimet, portieri legjendar i bardhezinjve Gianluigi Buffon ka menduar të tërhiqej nga sporti.

Lajmin e ka konfirmuar sot vetë portieri italian, që ka thënë se ka qenë presidenti Andrea Agnelli ai që i ka mbushur mendjen për të vazhduar karrierën. “Për herë të dytë dola nga fjala. Kisha thënë se nëse nuk do të kisha pësuar gol nga Barcelona në dy ndeshje, do të tërhiqesha në qershor”, tha Buffon për mediat italiane.

Portieri legjendar i Juventusit dhe kombëtares italiane, më tej shprehet se si iu ndërrua mendja.

“Ia thashë këtë gjë edhe presidentit, por ai m’u përgjigj duke qeshur. Në jetë themi shumë gjëra të gabuara, mos u shqetëso, vazhdo përpara. Pas këtyre fjalëve u mendova edhe një herë, më pas dëgjova këshillën e tij. Të mos pësoja gol nga Barcelona ishte një triumf i vogël për mua, që e ndava me gjithë skuadrën, që sakrifikuan shumë për këtë kualifikim”, u shpreh portieri Gianluigi Buffon.