Rrahje mes drejtoreshës dhe zyrtares së administratës së Komunës së Drenasit për një parking

Rrahje mes drejtoreshës dhe zyrtares së administratës së Komunës së Drenasit për një parking

Kishte premtuar se gjysmën e drejtorive do t’i udhëheqin gratë. Dhe kështu ndodhi. Ramiz Lladrovci emëroi 5 zonja në krye të drejtorive komunaleve. Por njëra prej tyre, dje u përfshi në një rrahje.

Sherri nisi nga parkingu që ndodhet para objektit të komunës.

Krejt kjo për një vend ku ato do të linin veturat. Megjithëse emrat për secilin zyrtar janë të përcaktuar, as kjo nuk ishte zgjidhje e mjaftueshme.

Drejtoresha e Inspeksionit Aurora Berisha dhe zyrtarja e administratës, Ganimete Drevishi-Dibrani nga kjo patën një mosmarrëveshje që kaloi në dhunë fizike.

Berisha kishte shkuar në punë pa veturë, e parkingun e saj e kishte zënë zyrtarja e administratës.

Për këtë gjë drejtoresha e inspekcionit njoftoi policinë. Me të marr vesh këtë gjë, dyshohet që zyrtarja e administratës sulmoi fizikisht drejtoreshën.

Konfirmimin e bëri vetë Berisha, duke pranuar se është sulmuar fizikisht.

Situatë tjetër mbretëronte të mërkurën në komunë të Drenasit.

Edhe pse veturat e asnjërës nga zyrtaret nuk gjendeshin në vendin e vet, nga komuna pretendonin se kolegët tashmë janë pajtuar mes vete.

Në mëngjesin e të mërkurës, siç kanë deklaruar zyrtarët e komunës për FRONTAL, ishte vendosur që për këtë rast të mos flitej para mediave.

Madje, ata pretendonin se ishte thjesht një fjalosje mes tyre që assesi s’kishte të bëjë me dhunë fizike.

Sidoqoftë dëshmitarët thonin diçka tjetër. E me rastin po merret policia që për FRONTAL kanë konfirmuar mosmarrëveshjen.

Dhuna fizike ndodhi për një vend parking, por askush nga komuna e Drenasit nuk flet./T7