Ronaldo me pozicion të ri në formacion për shkak të moshës

Ronaldo me pozicion të ri në formacion për shkak të moshës

Cristiano Ronaldo është 32 vjeç dhe nuk mund t’ia lejojë më vetes të driblojë, markojë apo të merret me organizimin e aksioneve. Të paktën, jo të gjitha përnjëherësh. Kështu, “sekreti” për zgjatjen e karrierës së tij është… ndryshimi i pozicionit.

Siç shkruan “Marca”, pas një analize të gjerë nga stafi teknik i Real Madridit, është vendosur që portugezi këtë sezon të kthehet në një sulmues qendre.

Ideja është që kampionët e Evropës të rreshtohen me sistemin 4-4-2, që i lejon portugezit të luajë më pranë portës, pra të shënojë më shumë, dhe të kursejë energji duke vrapuar më pak.

Meqë “Los Blancos” sivjet dështuan të blinin një sulmues tjetër pas largimit të Alvaro Moratës, i preferuari i Ronaldos si partner në sulm është Karim Benzema. Alternativa tjetër si 9-sh është Borja Mayoral, por ky nuk pritet të jetë sezoni i tij.

Trajneri Zinedine Zidane ka zhvilluar një bisedë me Ronaldon, i cili pritet që të fitojë “Topin e Artë” për herë të pestë në karrierë. Synimi i madrilenëve është jo vetëm të mbrojnë sërish trofeun e Ligës së Kampionëve, por të fitojnë gjashtë trofe brenda një viti, ashtu si Barcelona e Pep Guardiolës, shkruan telesport.

Kështu, Ronaldo ka pranuar sugjerimin e francezit për të ndryshuar rol, i bindur se do të jetë edhe më i rëndësishëm për skuadrën.