Rita Ora flet për karrierën dhe pasionet e saj

Rita Ora flet për karrierën dhe pasionet e saj

Rita Ora tani ka një angazhim të ri në karrierën e saj si drejtuese e një konkursi të ri të këngës të quajtur “Boy Band”.

Në këtë konkurs djemtë e rinj kualifikohen ose eliminohen për t’u bërë pjesë e një grupi muzikor me pesë vetë.

Në emisionin “Boy Band” marrin pjesë producenti Timbaland, Nick Carter i grupit “Backstreet Boys” dhe Emma Bunton e “Spice Girls”.

“Mendoj si drejtuese emisioni është një nga gjërat më zbavitëse që kam bërë deri tani, sigurisht pas interpretimit dhe koncerteve ku këndoj këngët e mia”, ka thënë Ora, raporton Zëri i Amerikës.

Rita Ora shton se i pëlqen të bashkëbisedojë me pjesëmarrësit dhe me audiencën dhe të njohë konkurrentët. Ajo thotë se ka mësuar të jetë më e kujdesshme me komentet e saj pasi jo të gjithëve i duhen bërë komplimente për talentin që kanë.

Për këngëtaren fakti që nuk është ajo që u jep konkurrentëve lajmin e keq të eliminimit është çlirim.

Megjithëse nuk është në jurinë e konkursit “Boy Band”, Rita Ora thotë se lista e grupeve të saj të preferuara është shumë e gjerë.

“Të gjithë, që nga ‘The Jackson 5’, ‘Beatles’, Mick Jagger dhe ‘Rolling Stones’, e deri tek grupet e viteve ’60 . Grupet e mia të preferuara janë të larmishme”, është shprehur ajo.

“Natyrisht ‘Backstreet Boys’ por edhe ‘Black Eyed Peas’, gjithnjë i mrekullueshëm. ‘No Doubt’, një grup fantastik, ndërsa grupet me djem ‘NSYNC’ dhe sigurisht ‘Backstreet Boys’”, ka vazhduar Rita të flasë për grupet.

Ndërsa për vete ajo thotë se nuk është në natyrën e saj të jetë në një grup muzikor vajzash, sepse do të zbavitej aq shumë saqë nuk do të punonte dot.

Rita më tutje flet për pasionin që ka për modën dhe të shprehet përmes stilit të saj.

Ajo për këtë arsye drejtoi edhe një sezon të spektaklit “Top Modelja e ardhshme e Amerikës”.

Sipas Orës, nuk ka rregulla kur bëhet fjalë për modën, pasi stili është individual.

“Moda është një moment, është mënyrë jetese, është frymëmarrja jote. Ndikon aq shumë tek komuniteti, kultura, të rinjtë, prandaj mendoj se shkon përtej asaj që mund të konsiderohet gjetje jo aq e pëlqyeshme”, ka thënë ajo.

Këngëtarja 26 vjeçare thotë se mesazhi që do që t’u përcjellë vajzave të reja është, të jenë vetvetja dhe të mbështesin njëra-tjetrën sepse siç thotë ajo, të bashkuara vajzat kanë më shumë forcë.