Rishikimi i teksteve nuk lehtësoi çantat e nxënësve

Rishikimi i teksteve nuk lehtësoi çantat e nxënësve

Edhe pas rishikimit të teksteve shkollore, çantat e nxënësve vazhdojnë të jenë të rënda. Ky konstatim del nga raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit mbi “Procesin e Rishikimit të Teksteve Shkollore”.

Aty thuhet se objektivi lidhur me lehtësimin e çantës nuk është arritur.

“Numri i teksteve shkollore për vitin shkollor 2016/17 nuk është zvogëluar. Ndryshimet e bëra në tekstet ekzistuese shkollore nuk kanë kontribuar në zvogëlimin e vëllimit të tyre”, thekson raporti i auditimit.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjinë e kishte marrë iniciativën për rishikimin e teksteve shkollore në vitin 2015.

Auditori kishte dhënë vërejtje edhe për mënyrën se si ka punuar Këshilli i Ekspertëve i themeluar nga MAShT, duke thënë se nuk është fokusuar në problemet përmbajtjesore të teksteve shkollore, por vetëm në ato teknike./Insajderi.com