A do rinegociojë Greqia me Shqipërinë për kufirin detar?

14.11.2017 08:26
A do rinegociojë Greqia me Shqipërinë për kufirin detar?

Kolonel Myslim Pashaj, një nga oponentët kryesorë të marrëveshjes së rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, kërkon që të ketë një pakt të ri mes dy vendeve, për të shmangur Arbitrazhin ndërkombëtar.

Në një intervistë për “Panorama”, Pashaj jep gjykimin e tij në lidhje me mënyrën sesi duhet arritur marrëveshja e re përmes parimit të “zgjidhjes së barabartë”, i cili, ndryshe nga pakti i parë, nuk do ta dëmtojë Shqipërinë.

Z. Pashaj, nga informacionet që ju keni, çfarë zhvillimesh të reja ka prodhuar takimi i zhvilluar në ishullin e Kretës mes dy ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë?

Sipas informacioneve që unë kam nga ky takim, pala greke ka çuar në tavolinë një hartë të re. Harta i është dorëzuar ekipit tonë që ka qenë pjesë e këtyre bisedimeve. Gjithashtu ka informacione se ka pasur edhe disa përafrime apo informacione të tjera se gjatë takimit, pala greke të jetë shprehur se hapësira ujore që kemi marrë ne në krahasim me hapësirën detare që ka marrë Shqipëria është më e madhe. Kështu që ne do të pranojmë të ridiskutojmë për marrëveshjen.

Por unë këtë qëndrim të ri të Greqisë nuk e besoj. Kam dëgjuar dy intervista të ministrit Bushati në Kretë dhe Athinë, ku ai ka thënë se në tryezë janë shtruar të gjitha pikat për diskutim, dhe këto diskutime do të vazhdojnë në Shqipëri.

Pra, nuk ka thënë konfirmime të kësaj natyre, që pala greke të ketë pranuar të rinegociojë për marrëveshjen e detit. Unë gjithashtu jam informuar edhe nga miq të tjerë në lidhje me këto diskutime, të cilët e kanë cilësuar si fitore të madhe faktin që pala greke të pranojë rinegocim për marrëveshjen e detit, por në gjykimin tim, duhet pritur derisa palët të dalin me një deklaratë zyrtare të përbashkët.

Por unë, të jem i sinqertë, nuk e besoj një gjë të tillë, pasi është e vështirë që një shtet si Greqia të pranojë të tërhiqet nga një marrëveshje, e cila e favorizon, pavarësisht që Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar.

Fajtore për këtë marrëveshje është pala shqiptare. Nuk po themi se marrëveshja që është hartuar ka qenë kundër Shqipërisë, por në negociata dhe në marrëveshje shqiptarët janë treguar joprofesionalë dhe kanë shkaktuar një dëm shumë të madh, që i ka shkaktuar shumë vendit, pasi ka prishur marrëdhëniet me shtetin grek.

Cila do të ishte një zgjidhje e mirë, sipas jush, që do të kënaqte të dyja palët sa i takon marrëveshjes për detin mes Shqipërisë dhe Greqisë?

Zgjidhja më e mirë do të ishte të mos shkohet në Arbitrazhin ndërkombëtar. Nuk duhet të largohemi nga marrëdhëniet dypalëshe. Konventa e detit në përgjithësi i ka trajtuar standardet dhe ua ka lënë në dorë shteteve fqinje të vendosin. Në kushtet në të cilat Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë këtë marrëveshje, unë them që të dyja palët tona duhet të ulen edhe të fillojnë bisedimet e t’i trajtojnë marrëdhëniet me besueshmëri me njëri-tjetrin.

Nuk duhet të ulen në tryezë për t’ia hedhur njëri-tjetrit, por për t’u mbështetur në marrëdhëniet dypalëshe. Greqia në këtë rast, arkipelagu i Korfuzit me Shqipërinë. Pra, duhet filluar nga e para. Fillimisht duhet të gjenden parimet kryesore. Nëse deri tani është punuar me atë që ne e quajmë baraslargësia, e cila ka vend në këtë humbje të madhe të Shqipërisë, ne duhet të nisemi nga një parim tjetër, që është ai i “zgjidhjes së barabartë”.

Çfarë do të thotë që rrethanat e Shqipërisë me rrethanat e Korfuzit janë krejtësisht të ndryshme. Pasi në njërin krah ne kemi shkëmbinj detarë dhe ishuj detarë të pabanuar dhe të banuar, ndërkohë që në anën tjetër ke vijën e plotë të Shqipërisë. Pra, jemi të pabarabartë në rrethanat gjeografike. Pra, në tavolinë diskutimi duhet të lidhet me rrethanat gjeografike që kanë dy shtetet. Unë them që medoemos të ketë një njohje të mirë të konventës së shtetit dhe të ketë një besueshmëri dypalëshe.

Nuk duhet të nisemi nga ekstremizmi, marrëveshja nuk duhet të përfshihet me politikën. Duhet të mbështetemi në konventën e detit dhe rrethanat në të cilat ndodhen dy vendet dhe jam i sigurt që do të prodhohet një marrëveshje, e cila do t’i lërë të kënaqura të dyja vendet.