“Rimat e liderit” – epitetet e Albin Kurtit për kandidatët e VV-së

“Rimat e liderit” – epitetet e Albin Kurtit për kandidatët e VV-së

Albin Kurti shquhet për fjalimet e tij. Ish-lideri i VV-së, tash deputet i Lëvizjes Vetëvendosje ka shfaqur këtë talent në secilën paraqitje publike, sidomos në Kuvendin e Kosovës.

Por këtë talent, Kurti është duke e shfaqur në fushatën zgjedhore, duke përdorur epitete e krahasime të cilat rimojnë, kur po flet për kandidatët e partisë për kryetar komunash.

Kurti, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 22 tetorit, përveç se foli për konceptin social-demokrat të partisë së tij, shprehu në mënyrë të veçantë karakteristikat e kandidatëve të VV-së nëpër komuna.

Në hapje të fushatës për zgjedhjet lokale, më 22 shtator në Prizren, Albin Kurti nisi maratonën e fjalimeve të tija që vazhduan për rreth një muaj ditë.

Në Prizren, teksa fliste për kandidatin e VV-së Mytaher Haskuka, ai i vuri një epitet të pazakontë Haskukës. E quajti “Mytë” – të cilin e krahasonte me një personazh që mbyste të këqijat si krimi e korrupsioni.

“Me Mytën e mytim korrupsionin. Me Mytën e mytim krimin. Me Mytën e mytim parregullsinë.
Me Mytën e mytim papërgjegjësinë”, kishte thënë Kurti në tubimin e parë të fushatës zgjedhore.

Në po të njëjtën ditë, në një tubim të VV-së me qytetarë e aktivistë në Prishtinë, Albin Kurti pati një epitet për t’ia vënë kryetatarit aktual të komunës dhe kandidatit për kryetar, Shpend Ahmetit. Për Ahmetin, Kurti e pati më të lehtë për t’ia gjetur epitetin.

Kur tha se “Prishtinës i duhen krah”, Kurti i vuri epitetin e “Shpendit” kryetarit aktual të Prishtinës.

“Se Shpendi ka krahë, se Shpendi është shpend prandaj ka krahë, veçse krahë duhet të ketë edhe Prishtina e krahu i Prishtinës është asambleja e komunës së Prishtinës”, u shpreh Kurti, në tubimin me qytetarë të Prishtinës të premtën.

Pa epitet, Kurti nuk e la as kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Ferizajt. Faton Topallit atij i vendosi epitetin e “Fatit”; atij fati, që sipas Kurtit, do të jetë i mirë për qytetarët e Ferizajt, raporton Insajderi.

“Fatoni është fati jonë për transparencë. Fatoni është fati jonë për kompetencë. Fatoni është fati jonë për shëndetësinë. Fatoni është fati jonë për përgjegjësinë”, deklaroi Kurti, gjatë fjalimit të mbajtur sot në Ferizaj.

Edhe në komunën e Dardanës, Kurti vazhdoi të përdorte rimat për të përshkruar situatën që ai pretendon se është krijuar në Kosovë.

“Me Vetëvendosjen në qeverisje nuk do të ketë komunë të pushtetit privat që privatizon, por komunë të pushtetin publik qe zhvillon”, deklaroi Kurti. “Punët që nisim ne i përfundojmë, sepse zotimet që japim ne, i realizojmë.”

Ndërsa në tubimin e mbledhur nga LVV-ja në Besianë, Kurti lavdëroi kandidatin për kryetar të kësaj komune Ajet Potera. Duke përdorur fjali që rimojnë, Kurti lavdëroi Poterën teksa e “thumboi” kundërkandidatin e Poterës, Agim Veliun.

“Ajet Potera është kthyer për luftë çlirimtare, kryetari që e keni ka ikur prej luftës pa i dhënë pesë pare”, thoshte Kurti për Poterën, në Besianë.

Edhe në Gjilan, Kurti thumboi kundërkandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje. Po ashtu, nëpërmjet rimave.

“Me 22 tetor hoqët ndryshku në Gjilan. Për një Gjilan pa Valiun e Kadiun, as Lutfiun. Por për Gjilan krenar me kryetarin e ri Samiun”, deklaroi deputeti i VV-së. /Insajderi.com