Rifillon lëshimi i certifikatave shëndetësore për leje armësh

Pas tetë muajsh që ishte bllokuar lëshimi i certifikatave shëndetësore të nevojshme për t’u pajisur me leje arme, kjo procedurë ka rifilluar në QKUK.

Rifillon lëshimi i certifikatave shëndetësore për leje armësh

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka rifilluar procesin e lëshimit të certifikatave mjekësore që dëshmojnë aftësinë psikike dhe fizike për përdorimin e armëve.

Këto certifikata janë një nga parakushtet për t’u pajisur me armë legale.

Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, Shaban Mecinaj, ka konfirmuar për “Zërin” se ka rifilluar procesi i lëshimit të certifikatave shëndetësore të domosdoshme për t’u pajisur me leje arme.

“Tashmë është formuar komisioni, i cili ka filluar të lëshojë certifikatat shëndetësore për marrjen e lejes për armë”, ka thënë Shaban Mecinaj.

Ai ka thënë se tashmë edhe anëtarët e komisionit kanë filluar të paguhen, duke bërë kështu që punët të bëhen më me seriozitet.

Certifikatat paguhen 50 euro, kontrollet bëhen të martën dhe të mërkurën.

Mecinaj ka thënë se certifikatat shëndetësore lëshohen vetëm gjatë dy ditëve të javës, të martën dhe të mërkurën.

“Këto ditë kandidatët duhet të vijnë dhe t’i nënshtrohen kontrolleve”, ka thënë ai.

Ndërkohë nga korriku i vitit 2015, për tetë muaj rresht, nuk është lëshuar asnjë certifikatë mjekësore në QKUK për aftësinë shëndetësore të përdorimit të armës, shkruan Zëri.