Revista e njohur “Time” i kërkon Trumpit ta heqë kopertinën “e rreme”

Revista e njohur “Time” i kërkon Trumpit ta heqë kopertinën “e rreme”

Presidenti amerikan Donald Trump është një nga njerëzit më të famshëm në botë, por ka një vend ku fytyra e tij e shumëfotografuar nuk ka qenë: kopertina e revistës “Time”, e 1 marsit të vitit 2009.

Por përse u intereson njerëzve kjo? Pikërisht sepse një kopje e kopertinës me imazhin e Trumpit raportohet të jetë varur në mur në 5 nga klubet e tij të golfit. E sipas vet revistës “Time”, është “fake” apo e rreme.

Kopertina tregon presidentin, me një kostum të zi, me një vështrim të përqëndruar dhe krahët e kryqëzuar.

“Trump po godet në të gjitha frontet…edhe në TV!”, shkruhet në titull. Dy tituj të tjerë më të vegjël, që flasin për presidentin Barack Obama, ndryshimet klimatike dhe krizën financiare, janë marrë nga kopertina e vërtetë e 2 marsit të vitit 2009, në të cilën, në foton kryesore shfaqet aktorja fituese e çmimit “Oscar”, Kate Winslet.

“Time” ka konfirmuar për BBC-në se kopertina është një kopje. Në fakt nuk ka pasur asnjë botim më 1 mars të vitit 2009 dhe Trump nuk është shfaqur në kopertinën e revistës atë vit. Revista madje i ka kërkuar organizatës “Trump” të largojë kopertinën e rreme.

“Washington Post”, që e raportoi e para historinë, tha se kopertina e manipuluar ishte vendosur në dy vende në resortin e miliarderit në Doral të Miamit. Ajo po ashtu është e varur në sallën e ngrënies në klubin e golfit të Trumpit në Virginia. Ndërsa një tjetër kopje është e vendosur në klubin “Mar a lago”, në Palm Beach të Floridës.

Ajo është pikasur edhe në klubet e golfit të presidentit në Irlandë dhe Skoci, ku stafi duket se e ka hequr pak javë më parë. “Washington Post” shkruan se organizata “Trump” nuk i është përgjigjur pyetjeve se kush e ka bërë atë dhe përse, por 1 marsi i vitit 2009 ka shënuar debutimin e shfaqjes televizive të Trumpit, “Nxënësi i famshëm”.

Në anën tjetër, Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti nuk mund të bëjë komente për dekorin në klubet e tij të golfit. Presidenti, sigurisht është shfaqur pafundësisht në kopertina revistash, para dhe pas uljes në detyrë. Përtej revistave “Fortune” dhe “Newsweek”, ai është edhe një nga të paktët burra që ka pushtuar kopertinën e “Playboy”, në mars të vitit 1990. Por, sipas komenteve të tij në të shkuarën, duket se ai e konsideron kopertinën e “Time”, “veçanërisht të rëndësishme”.