Reuters: NATO dhe SHBA “shuplakën” ndaj nismës për ushtrinë

Reuters: NATO dhe SHBA “shuplakën” ndaj nismës për ushtrinë

Agjencia e njohur ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, ka raportuar për shqetësimet e ngritura nga NATO dhe Ambasada e ShBA-ve në Kosovë lidhur me nismën e institucioneve kosovare për ndryshimin e misionit të FSK-së.

“Nisma e Kosovës për të transformuar forcat e sigurisë në ushtri, plan ky I kundërshtar nga minoriteti serb, ka ngjallur kritikë të menjëhershme të NATO-s dhe përkrahësit më të madh të këtij vendi, Shteteve të Bashkuara,” fillon artikulli i Reuters.

Artikulli nga mediumi me ndikim vjen vetëm pak orë pasi që NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se ato nuk mbështesin transformimin e FSK-së në ushtri pa ndryshimet kushtetuese.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një deklaratë të publikuar të mërkurën ka theksuar “shqetësimet për propozimin për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.

Stoltenberg, që ka zhvilluar gjatë ditës biseda telefonike me presidentin Hashim Thaçi dhe me kryeministrin, Isa Mustafa, thotë se “NATO ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si një forcë profesionale dhe shumëkombëshe në rritje”.

“Sot kam biseduar me Hashim Thaçin dhe me Isa Mustafën që t’ua përcjell shqetësimet serioze të aleatëve të NATO-s për propozimin e fundit të autoriteteve të Kosovës për ta transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në një forcë të armatosur, pa ndryshime kushtetuese. E kam bërë të qartë se hapat e njëanshëm siç janë këta janë të padobishëm dhe i bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të jenë në kontakt të ngushtë me Beogradin”, ka thënë Stoltenberg.

Në anën tjetër, Ambasada e ShBA-ve, përmes një komunikate për media, ka thënë se “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për nismën për të ndryshuar mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), pa një amendament kushtetues”.

“Ne mbështesim transformimin gradual, transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë multietnike, në përputhje me standardet e NATO-s”, thuhet në komunikatën e ambasadës./Insajderi.com