Reuters: Haradinaj mund të arrestohet gjatë udhëtimeve jashtë vendit

10.11.2017 18:02
Reuters: Haradinaj mund të arrestohet gjatë udhëtimeve jashtë vendit

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters shkruan se Kryeministri Haradinaj mund të arrestohet gjatë udhëtimeve jashtë vendit edhe pse mban postin e shefit të ekzekutivit, nëse Serbia nuk e tërheq fletëarrestin kundër tij që e ka dërguar në Interpol.

 

Duke e rikujtuar arrestimin e tij në Francë më herët gjatë këtij viti, Reuters duke u thirrur në diplomatët perëndimor në Prishtinë dhe zyrtarët vendës shkruan se Haradinaj mund të arrestohet gjatë vizitave jashtë shtetit nëse Serbia nuk e deaktivizon fletëarrestin.

Një vizitë e Haradinajt në Bruksel javën e ardhshme, e dyta që prej se Haradinaj ka marrë postin e Kryeministrit do të jetë testi i radhës për të, sipas Reuters.

Kjo agjenci rikujton se Serbia e mbështetur nga Rusia dhe Kina po e bllokon anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

“Prishtina është duke dërguar në mënyrë konstante kërkesa që Interpoli ta largojë emrin e tij nga paralajmërimi i kuq por fatkeqësisht kjo nuk po ndodhë” i ka thënë Reutersit një zyrtar i lartë kosovar.

“Këto janë akuza të motivuara politikisht por secili zyrtar policor në pikë kufitare do ta shohë emrin e tij me parlajmërimin e kuq dhe është obligim i tij që ta respektojë atë” ka shtuar zyrtari i lartë kosovar që ka folur për Reuters në kushte anonimiteti.

Po ashtu agjencia citon edhe një diplomat perëndimor i cili ka thënë se një zgjidhje e shpejtë duhet të gjendet. “Kjo është diçka e pakuptimtë”.