Restoranti i dasmave ku janë vendosur dy kthesa politike

Restoranti i dasmave ku janë vendosur dy kthesa politike

Është një restorant i zakonshëm i dasmave në Kosovë por brenda vitit aty kanë ndodhur dy ngjarje që kanë luajtur rol përfundimtar në dy momente politike.

Në të parin është marrë një vendim i politikës lokale ku  i është hapur rrugë fitores së sigurt një kandidati për kryer komune ndërsa në të dytin është marrë vendim që mund të formojë Qeverinë e Kosovës.

Quhet “Nobel” dhe është gjendet në Drenas.

Ngjarja e parë politike në këtë restorant kishte ndodhur në nëtor të vitit të kaluar, kur anëtari i PDK-së në Drenas, Naim Bazaj, kishte thirrur elektoratin e vet për të paraqitur kandidaturën e tij për kryetar të Drenasit, duke paralajmëruar kështu ndarjen e kësaj partie, që kishte kandiduar Ramiz Lladrovcin për këtë pozitë.

Naim Bazaj tradhton elektoratin: I thërret në tubim si kandidat i pavarur, paraqitet me Kadri Veselin

Por Bazaj ishte paraqitur në këtë restorant me Kadri Veselin, dhe në vend që të paraqiste kandidaturën e tij si i pavarur tha se është tërhequr nga gara. Kësisoj PDK-ja nuk u nda dhe Lladrovci u bë kryetar komune, ani pse fitorja e tij erdhi tek pas balotazhit.

Kjo ngjarje kishte ngjallur debat dhe ishte bërë kryetemë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Drenas, pasi  njerëzit aty kishin fishkëlluar shefin e PDK-së, Kadri Veseli dhe të zgjedhurin e tij për kryetar komune, Ramiz Lladrovcin.

Vendimi i dytë që është marrë në këtë restorant ka ndodhur të enjten e kaluar. Një këngëtar i muzikës turbo-folk që arriti të bëhej deputet me partinë Aleanca Kosova e Re, u bë faktor për formimin e Qeverisë së re.

Labinot Tahiri ka lënë mikrofonin për më shumë se gjysmë ore për të negociuar me Adem Grabovcin.

Grabovci kishte dy kërkesa për këngëtarin turbofolk: ta votojë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit dhe Ramush Haradinajn për kryeministër.

Grabovci nxjerr Labin nga dasma – i kërkon votën për Veselin e Haradinajn

Insajderi ka mësuar së të enjten më 4 gusht në ora 21 e 15, Grabovci është shfaqur në restorantin “Nobel” në Drenas në dasmën e Binak Gashit nga Klina ku ka takuar deputetin e AKR-së që është në koalicion me LDK-në dhe Alternativën, Labinot Tahirin nga i cili po kërkohet që të votojë për koalicionin PAN.

“Labinot Tahiri ka qenë duke kënduar kur ka ardhur Adem Grabovci. Grabovci e ka nxjerr Tahirin nga dasma dhe kanë dalë jashtë për të biseduar. Në bisedë i është kërkuar që ta votojë Veselin e Haradinajn”, ka thënë një burim nga kjo dasmë.

Tahiri e ka konfirmuar takimin me Grabovcin dhe kërkesën e tij për ta votuar Veselin dhe Qeverinë Haradinaj. Ka thënë se mezi po pret që ta shoh Haradinajn duke udhëhequr Qeverinë e Kosovës.

Tahiri ndërkohë ka lënë të kuptohet se në seancën e ardhshme do të votojë për Veselin dhe Haradinajn.

“Krejt varet prej vullnetit qysh e kom edhe qysh i shoh interesat e institucioneve. Hala s’jom i përcaktuar. Vullneti jem është me qenë ai (Haradinaj v.j.) kryeministër edhe e di që e gjithë klasa politike kanë mu gëzu kur të bëhet ai kryeministër”, ka shtuar Labinot Tahiri.

Kësisoj, Tahiri me votën e tij bënë shumicën e thjeshtë të PAN-it për të qeverisur. Pas rreshtimit të Teuta Rugovës në krah të PAN-it, vota e Tahirit është e 61-ta e PAN-it./Insajderi.com