“Reporterët Pa Kufi” dënon sulmin fizik ndaj Ollurit

“Reporterët Pa Kufi” dënon sulmin fizik ndaj Ollurit

Për sulmin fizik ndaj drejtorit te Gazetës Online Insajderi ditën e martë, ka reaguar edhe organizata Reporterët Pa Kufi (Reporters Without Borders) – një organizatë ndërkombëtare jofitimprurëse dhe joqeveritare që promovon dhe mbron lirinë e shtypit.

Përmes një komunikate për media, kjo organizatë ka thënë se dënon sulmin ndaj drejtorit të Insajderit, Parim Ollurit dhe se u bën thirrje autoriteteve kompetente në Kosovë që të zbardhet rasti.

“RSF dënon sulmin ndaj Parim Ollurit, drejtorit të gazetës se respektuar të lajmeve Insajderi.com, dhe i bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të zbulojnë kush janë prapa sulmit”, thuhet në reagim, raporton Insajderi

Organizata “Reporterët Pa Kufi” ka shpjeguar për artikullin e fundit të publikuar të Ollurit, para se të ndodhte sulmi, në lidhje me komandantët e luftës.

“Olluri u rrah nga tre burra që e pritën atë jashtë shtëpisë së tij në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, në mbrëmjen e 16 gushtit. Ai tha se mendonte se sulmi, në të cilin pësoi lëndime të lehta, ishte i lidhur me punën e tij gazetareske”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga RSF.

Organizata më tutje ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që Gazeta Online Insajderi është kërcënuar.

“Kjo nuk është hera e parë që Insajderi.com ka qenë objekt i ngacmimeve dhe kërcënimeve. Pas botimit të përgjimeve të vitit të kaluar ku zbuloi përfishrjen e krerëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në rastet e supozuara të korrupsionit, si rezultat disa reklamues të lidhur me zyrtarët e PDK-së papritmas kanë tërhequr reklamat e tyre nga gazeta e internetit”, thuhet në njoftimin e RSF-së. /Insajderi.com