Reperi kosovar u dëbua nga Zvicra, por sot mori një lajm të mirë

07.08.2017 14:16
Reperi kosovar u dëbua nga Zvicra, por sot mori një lajm të mirë

“Besko” është emri artistik i Besijan Kacorrajt, reperit shqiptar nga Zvicra i cili para nëntë muajsh qe dëbuar në Kosovë.

Dëbimit i ka paraprirë mbajtja e më shumë se pesë viteve burg për delikte të ndryshme në Zvicër. albinfo.ch ka shkruar disa herë rreth rastit të tij.

Së fundi, para se të dëbohej, për Beskon qe angazhuar personalisht edhe deputeti nacional i SVP-së, Lukas Reimann, i cili këmbëngulte se më me interes për Zvicrën do të ishte që Besko të mbetej në Zvicër se sa të dëbohej në Kosovë. Kjo për faktin se ai kishte dhënë dëshmi se ishte rehabilituar dhe ishte bërë pjesëtar i dobishëm i shoqërisë zvicerane. Këtu ai kishte filluar të shërbente si shembull për të rinjtë tjerë që kishin devijuar, se mund t`i kthehen jetës së rregullt.

Gazeta “Blick” në kuadrin e serisë së reportazheve për lidhjet në mes Kosovës dhe Zvicrës, ka vizituar Beskon në Prishtinë dhe ka prezantuar edhe një ide interesante të ish të burgosurit. Reperi 32 vjeçar tashmë e ka gjetur veten në Kosovë, ku po e vë në funksion njohjen e gjermanishtes dhe të mentalitetit zviceran. Ai thotë se punon në përkthimin e teksteve nga shqipja në gjermanishte dhe këshillon punonjësit në një call center të Prishtinës se si duhet të komunikojnë me klientët zviceranë.

Besko në këtë mënyrë arrin të fitojë deri në 700 euro në muaj, shumë mjaft e lakmuar në Kosovë ku paga mesatare është 350 euro.

Ndërsa ideja që e preokupon aktualisht atë është krijimi i një qendre ku do të takoheshin dhe merrnin mbështetje personat që janë dëbuar nga Zvicra pas vuajtjes së dënimeve të tyre, transmeton albinfo.ch. Kjo do të ishte shumë e rëndësishme, sipas Beskos, pasi që, ata e kanë shumë problem të riintegrohen në Kosovë dhe kështu rrezikojnë të bëhen recidivistë, pra të vazhdojnë me kryerje të delikteve.

Blick ka takuar në shoqëri me Beskon edhe ish të dënuarin tjetër nga Zvicra, Naimin i cili po ashtu ka zënë hapin me jetën në Kosovën ku, siç thuhet në artikull,  “papunësia është e lartë ndërsa pagat janë të ulëta ndërsa delinkuentët nga Zvicra nuk ka qenë askush duke i pritur”.

Gazeta më tutje prezanton edhe 49 vjeçarin L.L., i cili kishte ikur nga burgu në Bremgarten të Zvicrës që në vitin 2004 dhe prej atëherë qëndron ilegalisht në Kosovë, përcjell albinfo.ch. Ndaj tij ekziston një fletarrest i publikuar në internet bashkë me fotografinë e tij.

Ajo që kanë të përbashkët të tretë është: dëshira për kthim në Zvicër, ku ata e shohin të ardhmen e tyre. Por të tre kanë pengesa në ketë drejtim: për Beskon dhe Naimin, ndalesa për të hyrë në Zvicër vazhdon edhe katër vite. Ndërsa L.L., i cili ka fëmijët në Zvicër, po të kthehet, e pret burgu, siç merr vesh gazeta nga Policia Kantonale e Aargaut.

Ligji e lejon “pezullimin e ndalimit” të hyrjes në Zvicër

Ndërkaq Besko, edhe para kalimit të afatit 4 vjeçar, do të ketë të drejtë ta vizitojë Zvicrën, për të takuar familjen (fëmijën 1 vjeçar), sapo të mbushë një vit qëndrimi në Kosovë. Kur t`i ketë mbushur 2 vjet, atëherë do të ketë të drejtë për një vizitë që do të zgjasë një muaj, thotë ai.

Dhe në fakt, shkruan gazeta, personat e dëbuar kanë të drejtë me ligj për një vizitë të tillë. “Pezullimi i ndalimit të hyrjes në Zvicër” quhet kjo në zhargonin  profesional. Ajo nënkupton që autoritetet “përjashtimisht, për shkaqe humanitare ose arsye të tjera të rëndësishme” mund ta pezullojnë përkohësisht ose ta heqin krejtësisht një vendim për ndalimin e hyrjes në Zvicër.