Renovimi i “Adem Jasharit”: punimet, afati kohor dhe debutimi i klubeve

Renovimi i “Adem Jasharit”: punimet, afati kohor dhe debutimi i klubeve

Renovimi i Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë është duke ecur në ritme të duhura në mënyrë që të arrihen objekivat e vënë, ka konfirmuar sot drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj.

Alaj ka thënë se kanë shënuar progres punimet për të plotësuar stadiumin “Adem Jashari”, sipas kategorisë së dytë të UEFA-s.

“Progres i punimeve sipas kategorisë së dytë te UEFA-së në Stadiumin Olimpik ‘Adem Jashari’, objektivat po arrihen që futbollit t’i krijohen kushte për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombetare”, ka thënë Alaj.

Drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe të Sportit ka premtuar se stadiumi do të jetë gati më 15 qershor.

“Më 8 qershor do të kemi vizitën nga UEFA, kurse më 15 të këtij muaji do ta kemi gati stadiumin”, tha Alaj për Gazetën Olle.

Në disa fotografi të publikuara të stadiumit “Adem Jashari”, shihet se ka përfunduar edhe sistemimi i reflektorëve për ndriçim, raporton Insajderi.

Stadiumi pritet të jetë i gatshëm për ndeshjet kualifikuese të garave evropiane – Ligën e Evropës dhe Ligën e Kampionëve – ku do të marrin pjesë për herë të parë këtë vit, edhe dy skuadra nga Kosova, Trepça ’89 dhe Prishtina.

Trepça ’89, në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndeshjen e parë do ta zhvillojë më 27 apo 28 qershor, ndërsa atë të kthimit një javë më pas.

FC Prishtina në Ligën e Evropës do të zhvillojë ndeshjen e parë më 29 qershor, ndërsa atë të kthimit më 6 korrik. /Insajderi.com