Rënie drastike e numrit të emigrantëve meksikanë në ShBA

Rënie drastike e numrit të emigrantëve meksikanë në ShBA

Numri i emigrantëve të paligjshëm që hyjnë në SHBA nga Meksika ka rënë me 40 për qind nga janari në shkurt.

Shefi i Sigurisë së Brendshme, John Kelly, tha se ndryshimi është rezultat i politikave të ashpra të presidentit Donald Trump.

Kelly tha se numri i personave që kalojnë kufirin ka rënë këtë vit nga 31578 në 18762 në periudhën janar shkurt, periudhë kjo kur numri i arrestimeve të emigrantëve të paligjshëm zakonisht shënon rritje.

“Që nga implementimi i urdhrave të rinj ekzekutivë të administratës, që kanë si qëllim përforcimin e ligjeve të emigracionit, aktiviteti ka shënuar rënie dhe ne kemi shifrën më të ulët mujore në të paktën pesë vitet e fundit”, tha ai.

Presidenti ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për një barrierë të pakapërcyeshme fizike, në kufirin SHBA-Meksikë dhe ka lëshuar udhëzime të reja për deportimet. Masat janë dënuar nga Meksika, e cila i ka quajtur armiqësore dhe të papranueshme.

11 milionë emigrantë pa dokumente jetojnë në SHBA, pjesa më e madhe e tyre nga Meksika. Rregullat e reja të lajmëruara nga administrata Trump muajin e shkuar, përfshijnë edhe planet për të kthyer emigrantët pa dokumente në Meksikë, edhe nëse ata nuk janë meksikanë dhe zgjerojnë kriteret për deportime të menjëhershme.

Qeveria tha se rregullat e reja nuk do të sillnin deportime masive por kishin si qëllim ti jepnin më shumë fuqi forcave të rendit për të zbatuar ligjet e shkruara.

Trump ka urdhëruar edhe ndërtimin e një muri në kufirin me Meksikën dhe insiston se Meksika duhet të paguajë për të, pavarësisht refuzimeve të përsëritura të kësaj të fundit. Presidenti Trump e kishte emigracionin dhe kontrollin e kufijve një pjesë kyçe të fushatës së tij zgjedhore, duke premtuar se do të mbronte Amerikën nga të këqijtë.