‘Remi’: S’kemi arsye të luftojmë me Malin e Zi

‘Remi’: S’kemi arsye të luftojmë me Malin e Zi

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa – i njohur si Remi, ka thënë se askush nuk duhet të frikësohet për një luftë të mundshme me Malin e Zi, duke i quajtur deklaratat e Albin Kurtit nxitëse dhe jostabilizuese për vendin.

Remi, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, pranon se populli i Kosovës është i gatshëm të nisë luftën për territor, por, siç thotë ai, një gjë e tillë nuk do të ndodhë me Malin e Zi.

Ai ka thënë se mekanizmat kredibilë shtetërorë të vendit e kanë faktuar se nuk humbet territor me Marrëveshjen e Demarkacionit, shkruan Zëri.

“Nuk e shoh të arsyeshme të komentoj deklaratat nxitëse dhe jostabilizuese për vendin tonë. Nuk duhet të kemi drojë, nuk duhet të kemi frikë se jemi afër luftës. Tek e fundit ne kemi interesa afatgjata me fqinjët, në veçanti me Malin e Zi”, është shprehur Mustafa.

Mustafa është shprehur i zhgënjyer me punën dyvjeçare të koalicionit qeverisës PDK-LDK. Thotë se nuk i përmbushi pritjet e tij, ani pse ishte më i zëshmi për një koalicion të tillë.