Rektori Ramë Vataj dënohet për punësime të paligjshme

Rektori Ramë Vataj dënohet për punësime të paligjshme

Rektori i Universitetit ‘Ukshin Hoti’ në Prizren është dënuar me 2 mijë euro gjobë për shkak të mos respektimit të procedurave për punësimin dhe angazhimin e personelit akademik. Bashkë me të është dënuar edhe vetë universiteti me 5300 euro si subjekt juridik.

Inspektorët e punës kishin inspektuar punën e ‘Ukshin Hotit’, duke evidentuar shumë parregullsi në rekrutimin e stafit dhe mos respektimin e konkurseve.

Vërejtjet ishin dhënë me kohë ndaj këtij institucioni, por të cilat nuk ishin përmirësuar në masën e duhur. Për shkak se nuk janë përfillur këto vërejtje, atëherë kanë pasuar edhe gjobat ndaj rektorit Vataj në cilësinë e personit fizik, dhe universitetit në cilësinë e subjektit juridik.

“Me vendimin e Organit të Shkallës së Parë të Inspektoratit të Punës Nr. 56-48/2016/B, subjektit në procedurë Universiteti ‘Ukshin Hoti’ (…), i është shqiptuar gjoba në shumë prej 5300 euro, në cilësinë e personit juridik dhe Rektorit të Universitetit, Prof, dr. Ramë Vataj në shumë prej 2000 mijë euro në cilësinë e personit fizik”, thuhet ndër tjera në vendimin e siguruar nga Insajderi.

Organi i Shkallës së Parë të Inspektoratit të Punës kishte nxjerrë Raport Zyrtar, në të cilin kanë evidentuar shkeljet ligjore që janë bërë në këtë universitet.

“Pas analizës së shkresave të prezantuara nga punëdhënësi, shqyrtimit të lëndës dhe administrimit të provave, Inspektorët e Punës më 18.07.2016 kanë hartuar Raportin Zyrtare Nr.56-48/2016 me të cilin kanë konstatuar gjendjen faktike, dhe punëdhënësit i është bërë vërejtje që brenda afatit prej 8 (tetë) ditëve nga dita e pranimit të këtij Raporti Zyrtar, që t’i eliminojë parregullsitë e gjetura gjatë inspektimit”, vazhdon arsyetimi i vendimit i siguruar nga Insajderi.

Por universiteti i Prizrenit kishte shpallur disa konkurse, për të cilat Inspektorati thotë se nuk kanë specifikuar numrin e saktë për vende të lira për mësimdhënës apo asistentë të lëndës përkatëse.

Sipas raportit, Senati kishte nxjerrë konkurs për zgjedhjen e personelit akademik, dhe i njëjti konkurs është korrigjuar më vonë. Por gjatë inspektimit, thuhet aty, inspektorëve nuk u është prezantuar konkursi i parë i shpallur, kurse punëdhënësi nuk ka arsyetuar korrigjimin e atij konkursi.

Në një konkurs tjetër, sipas të gjeturave, thuhet se janë kërkuar 12 mësimdhënës dhe 3 asistentë, kurse janë pranuar vetëm dy mësimdhënës. Në këtë drejtim inspektorët thonë se punëdhënësi nuk ka arsyetuar mosplotësimin e 13 vendeve tjera që kanë mbetur të lira.

Në konkursin e 30.01.2015 janë kërkuar 63 mësimdhënës dhe 8 asistentë. Por sipas inspektorëve, punëdhënësi nuk ka prezantuar asnjë vendim për pranimin e kandidatëve apo procedurën lidhur me konkursin e shpallur.

Inspektorët kanë gjetur se punëdhënësi ka lidhur kontratë me punonjës mbi 65 vjeç duke mos parashtruar kërkesë të arsyetuar mirë nga njësia akademike ku punëdhënësi mund të angazhojë staf akademik në proces mësimor dhe hulumtues deri në moshën 70-vjeçare. Me këtë veprim ata thonë se është shkelur Ligji i Punës.

Në raportin Zyrtar të Inspektorëve janë evidentuar një sërë parregullsish tjera që janë bërë në Universitetin ‘Ukshin Hoti’ në Prizren.

Ndaj vendimit të Organit të Shkallës së Parë që dënoi me gjobë universitetin dhe rektorin, ishte ushtruar ankesë në shkallën e dytë të Inspektoratit të Punës.

Por shkalla e dytë vetëm e kishte konfirmuar vendimin e shkallës së parë, duke thënë se gjeturat janë evidente dhe situata faktike është vlerësuar drejt.

Për këto arsye Organi i Shkallës së Dytë i Inspektoratit të Punës gjeti se në vendimin e kundërshtuar gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.

“Andaj pretendimi ankimor të ushtruar nga U.D. i Sekretarit të Përgjithshëm i subjektit në procedurë Universiteti ‘Ukshin Hoti’ dhe për Rektorin e subjektit në procedurë Prod.dr. Ramë Vataj është i pabazuar, sepse bëjnë një arsyetim jo bindës për konstatimin e gjendjes faktike sepse të gjitha faktet që i përshkruan në ankesë dhe i ka sjellë në ankesë janë fakte që i ka shqyrtuar Organi i Shkallës së Parë, fakte të cilat i shqyrtoi edhe Organi i Shkallës së Dytë dhe konstatoi se inspektori i punës drejt ka konstatuar gjendjen faktike, drejt ka aplikuar dispozitat ligjore, drejt i ka vlerësuar të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në lartësinë e gjobës të cilat rrethana i aprovoi edhe Organi i Shkallës së Dytë i Inspektoratit të Punës”, thuhet në fund të vendimit të Organit të Shkallës së Dytë të Inspektoratit të Punës./Insajderi.com

V1

V2

V3

V4

V5

V6

V7

V8

V9