Refuzohet si e pabazuar ankesa e ish-gjyqtarit i cili mori 2400 franga ryshfet

06.06.2018 13:49
Refuzohet si e pabazuar ankesa e ish-gjyqtarit i cili mori 2400 franga ryshfet

Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale të të akuzuarit Miodrag Paviq, nga fshati K., komuna e Gjilanit, për shkak të veprës penale marrja e ryshfetit nga neni 343 par.2 të KPK-së, duke vendosur sipas ankesave të të akuzuarit dhe të mbrojtësit të tij, të ushtruara kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, në seancën e mbajtur me datë 07 maj 2018, ka refuzuar si të pabazuara të dy ankesat, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, të datës 29 janar 2015, i akuzuari Miodrag Paviq është liruar nga akuza, meqë nuk ishte provuar se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit. Kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, kishte parashtruar ankesë Prokuroria Themelore në Prizren, kurse Gjykata e Apelit e Kosovës, me datë 12 dhjetor 2017, ka aprovuar si të bazuar ankesën  dhe aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë e ka ndryshuar, ashtu që të akuzuarin e ka shpallur fajtor për veprën penale – marrja e ryshfetit, dhe e ka dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 1 (një) viti.  Kundër aktgjykimit të gjykatës shkallës së dytë, në afatin ligjor ankesë ka ushtruar, mbrojtësi i të akuzuarit dhe vetë i akuzuari.

Gjykata Supreme e Kosovës njofton se në seancën e kolegjit të shkallës së tretë, gjeti se ankesat janë të pabazuara.

Nga shkresat e lëndës dhe aktgjykimi i ankimuar, vërtetohet se gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të drejtë dhe të plotë, ka vërtetuar faktet; i akuzuari M.P. në periudhën kohore inkriminuese ka qenë gjyqtar në Gjykatën Komunale në Gjilan dhe ka pasur cilësinë e personit zyrtar, po ashtu të njëjtit i është ndarë në punë lënda e të dëmtuarit D.N., i cili ka qenë propozues për caktimin e kujdestarisë, kujdesit dhe edukimit ndaj fëmijëve të tij. Në fund të muajit tetor të viti 2012, i dëmtuari e ka pritur të akuzuarin para gjykatës, i është prezantuar dhe bashkë kanë shkuar në restorantin “Mili.”. I dëmtuari i ka ofruar të akuzuarit shumën e të hollave prej 2.400 franga zvicerane dhe e ka lutur që t’ia caktojë dhe të kryejë lëndën në fjalë. I akuzuari ashtu edhe ka vepruar dhe seancën e parë e ka mbajtur me datën 31.10.2012, ndërsa shqyrtimin me datën 7.11.2012. Shumën e lartcekur të të hollave, i dëmtuari ia ka dhënë të akuzuarit në dy pjesë, pjesën e parë – në shumë prej 1.200 franga zvicerane më datën 6.11.2012, ndërsa pjesën e dytë, po ashtu në shumë prej 1.200 franga, më datën 7.11.2012, pas mbajtjes së seancës dhe pasi që i akuzuari ia ka dorëzuar vendimin në pompën e benzinës “Ferizi Petrol” në dalje të Gjilanit.

“Këto fakte i akuzuari nuk i ka kontestuar dhe ato nuk kontestohen as në ankesën e ushtruar tani, por kontestuese, sipas pretendimeve ankimore është se shuma e cekur e të hollave a është dhënë në emër të huas apo për dhënien e ryshfetit”, thuhet në komunikatë.

Në shqyrtimin e të gjitha fakteve, Gjykata Supreme, mes tjerash, konstatoi se gjykata e shkallës së dytë me të drejtë ka ardhur në përfundim se është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se në veprimet e të akuzuarit përmblidhen të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale marrja e ryshfetit e paraparë dhe e ndëshkueshme me dispozitën e nenit 343 par.2 të KPK, për të cilat veprime e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar dënimin në fjalë.