Referendumi i Erdoganit shkakton tension në Evropë

Referendumi i Erdoganit shkakton tension në Evropë

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, porositi Turqinë se Berlini dhe Ankaraja duhet të qetësojnë marrëdhëniet e nevrikosura, por shtoi se krahasimet me nazistët, në çdo mosmarrëveshje, janë “vijë e kuqe që nuk mund të kalohet”.

“Mendoj se të dyja vendet kanë përgjegjësi për disa limite që nuk duhen kaluar. Ato përfshijnë krahasimin (v.j. e Gjermanisë së sotme) me Gjermaninë naziste”, tha Gabriel.

Ai i bëri këto komente pas takimit që zhvilloi të mërkurën në Berlin me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

Gabriel tha se pavarësisht dallimeve, “dialogu nuk ka alternativë, sepse është e vetmja mënyrë për t’iu kthyer hap pas hapi marrëdhënieve normale dhe miqësore”.

Takimi ka qenë i pari midis dy qeverive që nga arrestimi i gazetarit gjermano-turk, Deniz Yucel, së voni në Turqi, dhe që nga mosmarrëveshjet për fushatën e Turqisë në Gjermani, në lidhje me një referendum kushtetues për zgjerimin e pushtetit të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Përpjekjet e Ankarasë për të rritur mbështetjen për referendum në mesin e turqve që jetojnë në Bashkimin Evropian, kanë shkaktuar tension edhe në Holandë. Një tubim në Roterdam u anulua më 8 mars.

Zyrtarët në Cyrih po ashtu i kërkuan Qeverisë zvicerane të anulojë vizitën e planifikuar të Cavusoglut më 12 mars, duke u thirrur në shqetësimet për sigurinë.

Edhe Qeveria e Austrisë kritikoi përpjekjen e Qeverisë turke për të bërë fushatë në vendet e BE-së.

Disa tubime të planifikuara të zyrtarëve turq me diasporën e tyre në Gjermani janë anuluar javën e kaluar, duke bërë që Erdogan ta akuzojë Gjermaninë për “praktika naziste”. Komentet e tij kanë nxitur menjëherë reagimin e zyrës së kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila i ka cilësuar si “absurde”.

Rreth 1.4 milion turq që jetojnë në Gjermani, kanë të drejtë vote në referendumin e 16 prillit në Turqi.

Cavusoglu, këtë javë, po ashtu akuzoi autoritetet gjermane për “presion sistematik” mbi turqit në Gjermani, duke thënë se Berlin po ndërhyn në favor të votimit me “jo” në referendum. Ai tha se Gjermania nuk duhet t’i japë Turqisë “mësime për demokracinë dhe të drejtat e njeriut”.

Marrëdhëniet midis dy vendeve janë lëkundur që nga përpjekja për grushtshtet në Turqi, korrikun e kaluar. Gjermania ka kritikuar zëshëm arrestimet masive që kanë pasuar dhe largimin nga puna të afro 100,000 shërbyesve civilë turq.

Turqia është një partner i rëndësishëm në marrëveshjen për kufizimin e hyrjes së migrantëve në BE, por ka kërcënuar se “do t’i hapë dyert” nëse BE-ja nuk i përmbush zotimet për ndihmë, për udhëtim pa viza për turqit dhe nëse nuk i përshpejton bisedimet e anëtarësimit të Turqisë në bllok.