Reagon Nigeria: Nuk e njohim pavarësinë e Kosovës

Reagon Nigeria: Nuk e njohim pavarësinë e Kosovës

9 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria nuk e di numrin e saktë të shteteve që e kanë njohur Kosovën.

Por një listë vazhdon të figurojë në portalin shtetëror të Republikës së Kosovës. Sipas saj, numri i shteteve që e kanë njohur Kosovën është 96. Aty figurojnë shtete për të cilat nuk kanë arritur kurrë notat verbale, sikurse Nigeria e Uganda, raportoi sot Koha Ditore.

Por, shteti i Nigerisë ka reaguar sot ndaj pretendimeve të Kosovës se ka marrë njohja nga ky shtet.

Në një reagim të Ambasadës së Nigerisë në Serbi, thuhet se Nigeria nuk e ka njohur kurrë pavarësinë e Kosovës.

“Nigeria nuk ka ndryshuar asnjëherë pozicionin e saj në lidhje me pavarësinë e Kosovës”, ka thënë zyrtari nigerian në Beograd, Chidjioka Makhardi Ani, raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Para disa ditësh, shteti i Surinamit tërhoqi njohjen e pavarësisë së Kosovës. Surinami ishte njëri nga tri shtetet e fundit që kishte njohur pavarësinë e Kosovës. /Insajderi.com