BE reagon ndaj dispozitave për shpifjen e fyerjen në Kodin Penal

BE reagon ndaj dispozitave për shpifjen e fyerjen në Kodin Penal

Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se është e brengosur në lidhje me synimin e autoriteteve të Kosovës për të ndryshuar e plotësuar Kodin Penal të Kosovës me dispozita të reja për shpifjen dhe fyerjen.

“Kjo është në kundërshtim me trendet ndërkombëtare të shfuqizimit të ligjeve penale të shpifjes. Një numër shtetesh anëtare apo anëtare potenciale të BE-së, duke përfshirë Kosovën, tashmë kanë hequr kriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes, ndërsa vendet tjera kanë bërë hapa të rëndësishëm në të njëjtin drejtim”, thuhet nw njw njoftim pwr media tw Zyrws sw BE-sw.

“Dekriminalizimi i shpifjes dhe fyerjes në Kosovë është raportuar si përparim në Raportin e Komisionit Evropian më 2013. Legjislacioni civil në Kosovë ofron masa të mjaftueshme në lidhje me shpifjet dhe fyerjet”, thuhet tutje nw njoftim.

Në komunikatë thuhet se BE-ja në Kosovë i bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të vazhdojnë respektimin e parimeve ekzistuese të garantimit të lirisë së shprehjes, të përligjur në Kushtetutën e Kosovës, e cila është përafruar me standardet më të larta evropiane.

Kodi aktual Penal i Kosovës parashikon që fyerjet dhe shpifjet të dënohen me gjobë, dhe trajtohen përmes Ligjit për Shpifje.

Por, drafti i propozuar nga Ministria e Drejtësisë tashmë ka një plan tjetër për njerëzit që nuk mund të përmbahen në shprehjen e mllefit ndaj udhëheqësve të tyre apo shtetit.

“Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara fyen apo me keqdashje shpreh përbuzje ndaj Republikës se Kosovës ose ndaj rendit të saj kushtetues; ose fyen ngjyrat, flamurin, stemën apo himnin e Republikës se Kosovës dënohet me burgim deri në tre vjet ose me gjobë”, thuhet në draftin e këtij projektligji.

Përkufizim i njëjtë vlen edhe për shpifjet ndaj “Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese, ose një prej anëtarëve të tyre.”/Insajderi.com