Kompania “Vita”: Produktet tona nuk përmbajnë asnjë gram pluhur qumështi

Kompania “Vita”: Produktet tona nuk përmbajnë asnjë gram pluhur qumështi

Kompania e prodhimit të produkteve të bulmetit “Vita”, ka thënë se qumështi i prodhuar prej tyre nuk përmban “asnjë gram pluhur qumështi”, duke reaguar kështu ndaj akuzave që i ka bërë të mërkurën deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Përmes një komunikate për medie, kompania “Vita” ka thënë se nuk ka importuar asnjëherë pluhur qumështi.

“Ne e sigurojmë konsumatorin kosovar që as një produkt yni nuk përmban asnjë gram pluhur qumështi – kjo mund të verifikohet në dogana të Kosovës, sepse ne asnjëherë nuk kemi importuar pluhur qumështi”, thuhet në reagimin e kompanisë “Vita”.

Kompania kosovare e prodhimit të produkteve të bulmetit është shprehur e brengosur për sulmet që u janë drejtuar prodhueseve vendor.

“Qarqet që kanë për qëllim dëmtimin tonë për të sulmuar kundërshtarët politikë e biznesorë duhet t’i japin fund kësaj kulture ku më së shumti po dëmtohet konsumatori kosovar dhe prodhuesi vendor, dhe po përfitojnë shtete si Serbia që mezi presin të rrisin eksportin e tyre”, njofton kompania “Vita”.

Gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës të mërkurën, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti akuzoi kompaninë “Vita” se po përdor pluhur qumështi në prodhimet e saj.

“Ata e kanë luksin të mos e marrin qumështin e blegtorëve vendës sepse përdorin qumësht pluhur kurdo që të kenë nevojë”, deklaroi Kurti. /Insajderi.com