Reagon KF Besa: Nuk do t’ia lëshojmë ndeshjen Trepçës 89′

Reagon KF Besa: Nuk do t’ia lëshojmë ndeshjen Trepçës 89′

Klubi i Futbollit Besa ka reaguar ndaj siç i ka quajtuar ajo “thashethemeve të medieve dhe trajnerëve” që skuadra e Besës do t’ia lëshojë me qëllim ndeshjen skuadrës së Trepçës 89′, e cila po lufton për titullin kampion.

Përmes një komunikate për medie të lëshuar nga klubi pejan, është bërë e ditur se Besa nuk do të luajë me formacionin e dytë në ndeshjen e së dielës ndaj Trepçës 89′, siç kishin shkruar mediet.

“Me anë të ketij reagimi deshirojmë të shuajmë thashethemet e mediave dhe trajnerëve që thurin plane kafeneve, parashikojnë dhe mendojnë se mund të dirigjojnë me ecurinë e garave dhe te caktojnë kampionin dhe fituesin e kupës”, thuhet në reagimin e KF Besës.

“Në disa medie sot u lansu lajmi konspirativ gjoja se KF Besa nesër në ndeshjen kundër KF Trepça’89 në Pejë, do të paraqitet me ekipin e dytë duke i mundësuar klubit nga Mitrovica shkëputje në renditje.
Për ti shuar këto trillime dhe për respekt se pari të ngjyrave të klubit ju njoftojmë se KF Besa as dje, as sot por as nesër nuk do të jetë pjesë e skenarve të tillë të dirigjuar nga disa persona destruktiv dhe të cilët këto menyra i kanë të rendomta sepse i perdorin tash e 17 vite”, thuhet në komunikatë.

KF Besa ka akuzuar një nga trajnerët e Trepçës 89′ – duke mos përmendur emra konkretë –  se ka tentuar që të “manipulojë” futbollistët e Besës, me qëllim që t’i marrë tre pikët.

“Gjithashtu edhe trajnerit i cili ka shumë ‘teneqe’ në karierën e tij i dergojmë porosi se mos dergo emisar dhe mos u mundo te ndikosh tek futbollistet e KF Besa për të marr pikët jashtë fushës së blertë, aty edhe ku vendoset kampioni, mos na detyroni te dalim me emra dhe me gjera konkrete me te cilat jeni duke manipulu vetëm e vetëm të arrini synimet e juaja”, thuhet në reagimin e KF Besës.

Klubi i Besës i ka premtuar tifozëve të saj se do të luftojë për titullin kampion të Kosovës derisa matematike ta lejojë.

“Të nderuar futbolldashës, dashamirë të KF Besa, Besa dhe stafi i saj deri ne javën e fundit dhe deri sa të ketë mundësi matematikore do të synoj titullin kampion, nuk do të ndalet dhe nuk do te jetë pjesë e asnjë skenari për të vendosur kampionin jashtë fushës së blertë”, ka thënë Klubi i Futbollit Besa.

“Mos harroni emrin e kemi BESA dhe asnjihere BESEN nuk e shkelim”, ka thënë klubi nga Peja. /Insajderi.com