Reagon “Çohu”: Drejtori i AKI-së pjesë e strukturave politike

Reagon “Çohu”: Drejtori i AKI-së pjesë e strukturave politike

Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet, Çohu, ka reaguar lidhur me emërimin e drejtorit të ri të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi.

Sipas Çohu, drejtori i ri Driton Gashi, ka qenë pjesë e strukturave të PDK-së, bazuar në hulumtimin “Partia e Punës” të kësaj OJQ-je.

“Fillimisht z. Gashi ishte anëtar i kryesisë së degës së PDK-së në Prishtinë, i cili më pas gjithashtu ka qenë këshilltar politik i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, z. Zenun Pajaziti”, thuhet ne komunikatë.

Kjo organizatë konsideron se me emërimin e tillë, Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të shtrijë “patronazhin politik dhe kontrollin në institucionet e rëndësishme të vendit, duke filluar nga pozitat më të ulëta e deri të ato më të larta në hierarkinë e institucioneve të shtetit”.

“Marrë parasysh rëndësinë e pozitës së drejtorit të AKI-së për sigurinë e vendit dhe i cili do të duhej të ishte i pavarur, kredibil dhe profesional, organizata ÇOHU! konsideron se emërimi i Driton Gashit në këtë pozitë është i papranueshëm dhe dëmton kredibilitetin e këtij institucioni”.

Çohu kërkon nga Presidenti dhe Kryeministri që të shqyrtojnë dhe të ri-konsiderojnë emërimin e drejtorit të ri, Driton Gashi.

“Gjithashtu të shfuqizojnë vendimin për emërim, duke sjellë në pozitën e tillë një person profesionist, të pavarur dhe kredibil, i cili nuk ka qenë dhe nuk është pjesë e ndonjë partie politike”, thuhet në reagim. /Insajderi.com