Reagimi i vonuar në mbrojtje të gazetarit që ndihet i pasigurt nga Vetëvendosje

07.09.2016 20:49

Nëntë ditë pasi për Insajderin, kryeredaktori i kanalit numër 3 të televizionit publik, Ridvan Berisha, deklaroi se po ndihet i kërcënuar shkaku i gjuhës dhe veprimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, Asociacioni i Gazetarëve ka ardhur me reagim.

Reagimi i vonuar në mbrojtje të gazetarit që ndihet i pasigurt nga Vetëvendosje

Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, deklarata e kryeredaktorit të RTK 3, Ridvan Berisha se po ndihet i kërcënuar, dhënë për gazetën Insajderi, menjëherë pasi partia opozitare Vetëvendosje  publikoi një fotografi në të cilën ai shihet në një darkë me gruan e zëvendësdrejtorit të njësitit të anti-terrorizmit, Luan Keka, i cili ka zhvilluar hetimet ndaj aktivistëve të kësaj partie që u arrestuan të martën nën dyshimet për “aktivitet terrorist”, është shqetësuese.

Kryeredaktori i RTK 3, kishte thënë me 30 gusht gjatë mbrëmjes, se ndihet i rrezikuar nga ajo që e e kishte quatur “linçim publik që Lëvizja Vetëvendosje” po i bënë personalitetit të tij si gazetar.

“Jam në oborr para shtëpisë sepse gjatë tërë kohës prej që është publikuar ajo fotografi me atë lidhje, më kanë ardhur mesazhe kërcënuese”, kishte thënë Berisha, për Insajderin.

E Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar me 7 shtator duke thënë se e ka pritur me shqetësim njoftimin e kolegut nga Radio Televizioni i Kosovës Ridvan Berisha se ai është duke u ndier i pasigurt nga siç thotë ai linçimet e fundit që vijnë nga subjekti politik “Vetëvendosje”.

reagim

“AGK-ja mbështet kolegun Ridvan Berisha dhe dënon çdo linçim ndaj gazetarëve në Kosovë. Njëherësh kërkojmë nga subjektet politike që t’i ndalin sulmet ndaj gazetarëve të mediumit publik, pasi ditëve të fundit presioni mbi ta vetëm sa është rritur”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja ka rikujtuar “të gjitha subjektet politike se gazetarët e Radio Televizionit Publik të Kosovës nuk bënë të shndërrohen në pistë të shfryrjes së kundërshtimeve politike”.

“Ne do të angazhohemi edhe me tej në kundërshtimin e çdo lloji të linçimit, sulmit dhe shantazhit në drejtim të kolegëve gazetarë”, thuhet në fund të reagimit. /Insajderi.com

Kryredaktori i RTK 3 thotë se ndihet “ i kërcënuar nga linçimet e VV-së”