Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përshëndetur marrëveshjen e sotme mes partive politike për ratifikimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, shkruan Insajderi.
Marrëveshjen mes partive politike Thaçi e ka cilësuar si lajm jashtëzakonisht të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës. Po ashtu ai është shprehur i bindur se kjo marrëveshje u siguron përfundimisht lirinë e lëvizjes qytetarëve të Kosovës.
“Marrëveshja e sotme e partive politike për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, është një lajm jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës”.
“Uroj të gjithë përfaqësuesit e këtyre partive politike për konsensusin e arritur, i cili përfundimisht siguron lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen”, ka shkruar Thaçi.
Po ashtu ai ka thënë uniteti politikë duhet të shpërbejë edhe për temat e tjera nacionale, sipas tij duke tejkaluar interesat partiake dhe private.
“Ky unitet politik duhet të shërbejë si një kornizë afatgjate për gjetjen e zgjidhjeve për temat nacionale, të cilat kërkojnë vullnet dhe gatishmëri për të tejkaluar interesat e ngushta partiake dhe private”, ka përfunduar Thaçi në shkrimin e tij./Insajderi.com+