Reagimi i nënkryetarit të LDK-së pas vendimit të PZAP-së për rivotim në Istog

Reagimi i nënkryetarit të LDK-së pas vendimit të PZAP-së për rivotim në Istog

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka reaguar pas vendimit të PZAP-së për rivotim në Komunën e Istogut. Haziri ka thënë Istogu dëshmon se Haki Rugova është fitues i këtyre zgjedhjeve.

“Istogu dëshmon se Haki Rugova dhe LDK janë fituesit e zgjedhjeve këtë vit!”, ka deklaruar Haziri.

Në anën tjetër edhe kandidati i LDK-së për komunë të Istogut Haki Rugova ka reaguar rreth çështjes së rivotimin në këtë komunë.

“Rivotimi në Istog është i papranueshëm për mua dhe ne kemi kërkuar që të anulohen votat më postë dhe të shpallëm fitues të Zgjedhjeve në Istog”, është shprehur Rugova.

Ndryshe gjatë ditës së sotme, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim që komuna e Istogut të shkojë në rivotim.

Mulë Desku nga PZAP e ka konfirmuar për Gazeta Blic, duke thënë se ky institucion ka marrë parasysh faktet, të cilat ua ka dërguar LDK-ja, duke e ridërguar në votim këtë komunë.

“PZAP-i ka pranuar si të bazuar ankesën e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe ka vendosur që të anulohen rezultatet e Zgjedhjeve Lokale të 22 tetorit 2017, për Rundin e dytë, të mbajtura me date 19.11.2017, për kryetar Komune në Istog dhe urdhëron Komisionin Qendror i Zgjedhjeve ta përsërisë votimin e Rundit te dyte te Zgjedhjeve Lokale, për Kryetar të Komunës së Istogut”, ka deklaruar ai.