Reagimi i bizneseve, në hall me ndërprerjet e energjisë elektrike

Reagimi i bizneseve, në hall me ndërprerjet e energjisë elektrike

18 vjet pas luftës si dhe 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike. Si duket kjo gjendje e rëndë e furnizimimit të rregullt me energji elektrike më së shumti po dëmton biznesin vendor. Ata problemin me energji elektrike vazhdojnë ta shohin si një ndër top barrierat kryesore për zhvillimin e biznesit të tyre.

Gani Ferizi nga kompania “ApetitGroup” ka thënë për EkonomiaSot se për shkak të ndërprerjeve të paparalajmëruara të rrymës, ndodh që i tërë prodhimi del me defekt, dhe si pasojë këto produkte nuk mund të plasohen në treg.

Ai thotë se ndërprerja e rrymës shkakton defekte edhe në makinat të cilat përdoren për prodhim.

“Është shumë e vështirë sepse makinat janë me software ashtu që nuk e duan të ndërpritet rryma, ndalja e rrymës shkakton problem tek i tërë prodhimi dhe paketimi, ne nuk mund ta plasojmë në treg paketimin me defekt” tha ai.

Për pronarin e kompanisë “FRUTEKS”, Shaqir Palushi, zgjidhja e problemit të energjisë elektrike nga ana e qeverisë së Kosovës do të duhej të ishte më me prioritet se ndërtimi i asfaltit.

“Mendoj që për Qeverinë e Kosovës do të duhej të ishte prioritet zgjidhja e problemit sepse kjo është më e rëndësishme sesa ndërtimi i infrastrukturës rrugore” ndërkaq sa i përket ndërprerjes së rrymës ai thotë se problemet janë të shumta.

“Problemet me energjinë elektrike për kompaninë tonë janë pothuajse të përditshme gjatë gjithë vitit, kurse këto ditë me rënien e temperaturave këto reduktimet janë shpeshtuar. Problemet janë shumë dimensionale të cilat shkaktojnë dëme në procesin e prodhimit duke i rritur humbjet në kompaninë tonë, në anën tjetër rritet kostoja sepse prodhimi me gjenerator është më i shtrenjtë. Zakonisht kur ka intervenime ka paralajmërime por shumica e ndërprerjeve janë pa paralajmërim”, përfundoi Palushi.

Ndërsa Burim Piraj pronar i kompanisë “MEKA” përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se dëmet nga reduktimet e energjisë elektrike janë shumë më serioze se sa mendohet nga institucionet e vendit.

Sipas tij kjo gjendje jo vetëm që dëmton biznesin por edhe është shkaktar i mos-stabilitetit social në vend.Ai i mbanë përgjegjës përfaqësuesit politik që gjatë fushatave zgjedhore kanë premtuar se do ta zgjidhin problemin e furnizimit me energji.

“Më 2018 Kosova po përjeton reduktime të rrepta të energjisë elektrike. Dëmet janë shumë më serioze se që po mendojnë institucionet vendore. Më 2018 Kosova ka afërsisht 1 milion qytetarë më pak se në vitin 1999. A do të duhej që numri i banorëve të ishte mbi 3 milion më 2018 nga shtimi i popullatës dhe nga kthimi i bashkatdhetarëve që përkohësisht jetojnë jashtë Kosovës”

Që nga paslufta bizneset kanë shpenzuar 58 milionë euro për blerjen e gjeneratorëve duke mos i llogaritur edhe shpenzimet për derivate, kjo sipas të gjeturave nga OEK-u.

Aktualisht Kosova po përballet me një disbalanc tregtar. Një ndër top vendet të cilat eksportojnë produktet e tyre në vendin tonë është Serbia, e cila vetëm gjatë vitit 2017 ka eksportuar 450 milionë euro produkte në Kosovë. Kjo paraqet një rritje prej 16% krahasuar me vitin 2016, gjë që është tejet shqetësuese.