Reagimi i ashpër i Turqisë: Askush nuk mund t’i ofendojë zyrtarët tonë

Reagimi i ashpër i Turqisë: Askush nuk mund t’i ofendojë zyrtarët tonë

Lideri i partisë opozitare turke, Partisë Popullore Republikane (CHP) Kemal Kiliçdaroglu, dënoi sot skandalin gjatë stërvitjes ushtarake të NATO-s, duke theksuar se askush nuk ka të drejtë të fyejë zyrtarët dhe historinë e Republikës së Turqisë.

Kiliçdaroglu sot në Ankara ka folur për skandalin në stërvitjen ushtarake të NATO-s në Norvegji, gjatë së cilës presidenti aktual turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe presidenti i parë i Turqisë moderne Mustafa Kemal Ataturk u treguan si shënjestër.

“Ne (Turqia) jemi një vend i fuqishëm që ka nder. Ne jemi një vend që mbron demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Mund të ekzistojnë kritika në llogari të Turqisë, nuk kundërshtojmë. Por, askush nuk mund të ofendojë zyrtarët dhe historinë e Republikës së Turqisë. Këtë në mënyrën më të ashpër e dënojmë”, tha Kilicdaroglu. Ai tha se Turqia lidhur me skandalin pret sqarim, duke shtuar se nuk ka mundësi të kalojë me një vetëm “na falni”.

Oficerët norvegjezë janë shkarkuar nga detyra pasi gjatë stërvitjes së NATO-s presidentin aktual të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe presidentin e parë Kemal Ataturk i vendosën si objektiv. Në stërvitjen e NATO-s morën pjesë 41 ushtarë turq, ndërsa pas incidentit, me urdhër të presidentit të Turqisë, ushtarët turq janë tërhequr nga stërvitja, shkruan AA.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dy herë i kërkoi falje Turqisë për skandalin në stërvitjen e NATO-s “Trident Javelin” në Norvegji. Fillimisht dërguan falje me shkrim, ndërsa pastaj në takimin e forumin ndërkombëtar të sigurisë Halifax në Kanada kryeshefit të Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Turqisë, Hulus Akar i kërkoi “falje të hapur”.