Reagime për kosovarin që la futbollin për shkak të sëmundjes në zemër

Reagime për kosovarin që la futbollin për shkak të sëmundjes në zemër

Futbollisti i Manchester Cityt, Sinan Bytyqi është tërhequr nga futbolli i luajtur, pasi 22-vjeçari nga Kosova u diagonstifikua me një sëmundje në zemër disa javë më parë.

Ish-futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, që konsiderohej si njëri prej talenteve më të mëdhenj kosovar, ka marrë rolin e skautit nga klubi anglez Manchester City.

Pas lajmit që u dha sot nga tabloidi britanik Daily Mail, kanë reaguar ish-bashkëlojtarët dhe ish-klubet ku ka luajtur Bytyqi. Madje, reagime të shumta ka pasur edhe në rrjetet sociale.

“Sinan Bytyqi, ti je një inspirim për të gjithë ne në Go Ahead Eagles. Faleminderit dhe paç fat në të ardhmen”, ishte reagimi i ish-klubit të tij, Go Ahead Eagles nga Holanda, raporton Insajderi.

Edhe futbollisti kosovar Bersant Celina ka reaguar pas lajmit. I ka dëshiruar sukses në të ardhmen Bytyqit.

“Vëllai im. Ti ke një të ardhme të ndritur përpara”, ka shkruar Celina në Twitter.

Disa llogari të lajmeve të futbollit në rrjetin social Twitter e kanë përgëzuar klubin e Manchester Cityt për faktin se i dha 22-vjeçarit kosovar një pozitë në klub.

“Futbollisti i Manchester Cityt Sinan Bytyqi është detyruar të tërhiqet nga futbolli, por klubi i ka dhënë atij postin e skautit të klubit. Një nga klubet më mirë të udhëhequra në botë”, shkruan uebsajti Footy Accumulators. /Insajderi.com