Rasti në “City Club”, vëllai i viktimës: Pas vrasjes, familjes iu ofrua një zarf me para

Rasti në “City Club”, vëllai i viktimës: Pas vrasjes, familjes iu ofrua një zarf me para

Të mërkurën në Gjykatën Themelore të Pejës, ka vazhduar gjykimi ndaj Granit Elshanit, i akuzuar për vrasje dhe tri tentim vrasje në diskotekën, “City Club”, që kishte ndodhur më 2010.

Në këtë seancë e ka dhënë dëshminë e tij, Besnik Shabi, vëllai i të vrarit, Besart Shabi.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Andrew Hughes, Besnik Shabi, ka deklaruar se pas vrasjes së vëllait, më 2 janar të vitit 2010, familja e tij kishte pranuar ndihma nga miq dhe familjarë.

“Mirëpo, nënës time, në shtëpi i ka arrit edhe një zarf, në shumë prej 1000 apo 1500 euro, i cili zarf nuk ka pasur asnjë mbishkrim. E kam pytë nënën se kush ta ka jap këtë zarf, më ka thënë se ja ka jap kojshija Korab Belegu. Më pas e kam pyt Korabin, se kush të ka thënë me na jap këto të holla, Korabi më ka thënë, do shokë, do tezaka të familjes Elshani”, tha Besnik Shabi.

Më pas dëshmitari deklaroi se zarfin me të holla ia ka kthyer Korab Belegut dhe nuk e ka pranuar pasi që i është dukur i dyshimtë.

“Në një ditë pranvere apo vere të vitit 2010 apo 2011, kam pranuar një telefonatë me numër privat, nga një person i cili është paraqitur si Demë Elshani. Ai më ka thënë se familja Elshani nuk ka të bëjë asgjë me vdekjen e Besartit”, ka deklaruar tutje dëshmitari.

Dëshmitari, deklaroi se vëllai i tij Besarti, nuk është shoqëruar me asnjë anëtar të familjes Elshani apo Kelmendi dhe se vrasja e tij ka qenë sikurse edhe vrasjet e tjera.

“Besarti ka qenë viktimë e rastit atë natë, siç e kanë pësuar edhe shumë viktima të tjera”, tha Besnik Shabi.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale, Andrew Hughes, Besart Shabi deklaroi se as vëllai i tij e as si familje nuk kanë pasur konflikt me askënd.

Besnik Shabi, gjithashtu tregoi se natën kur kishte ndodhur ngjarja, nuk kishte qenë prezent në atë lokal dhe se për vdekjen e vëllait të tij, tha se kishte kuptuar në momentin kur ka shkuar në spital.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, nëse qëndron pranë ndjekjes penale dhe nëse parashtroni kërkesë për kompensim dëmi, Besnik Shabi deklaroi se qëndron vetëm pranë ndjekjes së fajtorit dhe dënimit të tij sipas ligjit.

Gjyqtari, Sharraxhiu, konstatoi se mungon dëshmitari Xhevdet Kelmendi dhe se sipas raportit policor, i njëjti gjendet jashtë shtetit. Ai konstatoi se gjithashtu mungon edhe e dëmtuara Arta Bardhi, për të cilën nuk ka raport policor, por që ka informata se edhe ajo jeton jashtë shtetit.

Seanca e radhës do të mbahet të enjten me 21 shtator 2017, në ora 10:00, ku pritet të dëshmojnë oficerët policorë Riza Mahaj, Shpend Berisha, Ismet Fetaj dhe Shpejtim Tafili.

Ndryshe, të martën më 19 korrik 2017, e ka dhënë dëshminë e tij edhe polici Hasan Buqaj, i cili në natën kritike, kishte qenë në lokalin ku kishte ndodhur ngjarja. Ai ka deklaruar se bashkë me dy shokë kishte shkuar në këtë diskotekë për tu zbavitur, pasi ishte jashtë orarit të punës, por ka thënë se me vete e ka pasur edhe armën zyrtare.

Polici Buqaj, ishte plagosur, siç ka thënë në përpjekjet e tij për ta kapur personin që kishte filluar të shtinte me armë. Por, në seancën e së martës, ai ka deklaruar se personin e dyshuar as nuk ka arritur ta identifikojë, pasi ka thënë se kishte pasur kapele dhe se në lokal ishte errët.

Sipas aktakuzës, më 2 janar të viti 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë  i akuzuari Granit Elshani, kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Sipas prokurorit, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor Hasan Buqaj./Betimi për Drejtësi/