Rasti “Harri Lena”, tregon si qeveris Edi Rama

Rasti “Harri Lena”, tregon si qeveris Edi Rama

Është pak qesharake ta mendosh që Harri Lena ka “kapur” Edi Ramën. Nuk i plotëson disa kushte dhe nuk të beson njeri kur ja thua. Nuk e ka identikitin e atyre biznesmenëve që vërtet ndikojnë tek Edi Rama dhe i kanë dyert e hapura.

Nuk ka peshën e tyre në opinion publik, lobimin e tyre, fuqinë mediatike të tyre, dhe shifrat e tyre. Por pavarësisht kësaj, duket se ai ja ka dalë me sukses që për gati dy javë punime pa leje në shtrat të Vjosës, jo vetëm të mos arrestohet, por të mos i ndalohet asnjë punëtor apo të mos i sekuestrohet asnjë llamarinë nga kantieri.

Duket se INUK, Policia dhe gjithë institucionet që duhet të vepronin, janë kujdesur për kantierin e paligjshëm të tij, të qartë, që një ditë ai do të jetë i ligjshëm dhe nuk i duhet prishur punë. Dhe këtë nuk mund ta kenë me intuitë. E kanë padiskutim me udhëzim. Dikush i ka udhëzuar të bëjnë sikur shkojnë atje, po të mos i prishin punë se do marrë leje. Pra, mënyra se si një biznesmen thuajse i falimentuar në atë biznes, po na prezanton një kryeministër të kapur, është pikërisht falë mënyrës se si Edi Rama ndërton parimet e pushtetit të tij.

Në përpjekje për ta grumbulluar pushtetin në Kryeministri, shumë batakçinj si ky tipi në fjalë, e “kapin” fare lehtë kryeministrin. E kapin se nuk funksionon sistemi formal që ai ndërton për “qytetarët”. Nëse do të ishte e vërtetë që policia e rendit, po konstatoi punime pa leje, arreston punëtorët, sekuestron veglat dhe ndalon pronarin, sot Harri Lena do ishte në burg.

Për një orë që qëndroi aty një gazetar i “Dritares”, gjeti dhe faturën tatimore të papaguar për punëtorët nga Kukësi që ka marrë në punë të zezë. Nëse do të ishte e vërtetë, që INUK, kur shkon në një vend dhe gjen punime pa leje, shkatërron objektin dhe dënon pronarin, sot kantieri do të ishte prishur dhe Harri lena do të ishte dënuar.

Asgjë e tillë nuk ndodhi. Për të qenë brenda, punonjësit e INUK bëjnë foto nga një distancë 500 metra larg, që të mos duket kantieri dhe raportojnë që nuk duket gjë, ndërkohë që gazetarët hyjnë lirshëm mes kantierit dhe fotografojnë dhe rrobat e lagura të punëtorëve, që hyjnë në lumë nga frika sa herë shikojnë njerëz që afrohen.

Vetë Harri Lena sot rrinte para ndërtesës ku mbahej Asambleja e PS, që të takonte ndonjë nga “të mëdhenjtë” e t’i ankohej për shtypin që e bezdiste. Mënyra se si ky biznesmen, i ka mbijetuar sistemit “represiv” të Edi Ramës për kontrollin e territorit, është një leksion mbi dështimin e këtij sistemi, për shkak se ai nuk është i lirë të funksionojë sipas ligjit, por i komanduar nga qendra okulte në Kryeministri.

Pra ai nuk është pushtet real, por pjesë e pushtetit të koncentruar në Kryeministri, që ka fuqinë e duhur të  fusë në burg për një llamarinë, ose që të të lejojë të betonosh Vjosën pa asnjë leje për javë të tëra. Dhe më shumë se çështje e fuqisë së “Harrit” tek Rama, kjo është çështje e skemës fallco të strukturave të pushtetit që kontrollojnë territorin. Ato duket që nuk kanë punë me ligjin, por me dikë që i komandon nga zyrat e Edi Ramës në Tiranë. Nuk them se gjithmonë mund t’i udhëzojnë keq, por mjafton një rast i tillë për ta rrëzuar të gjithën, pasi provojnë që edhe Harri Lena mund të “kapë” kryeministrin. Dhe kjo është më e rëndë, se t’i japësh leje për atë masakër.