Rasti Dehari: Kamerat e sigurisë janë dërguar për analizë në Austri

Rasti Dehari: Kamerat e sigurisë janë dërguar për analizë në Austri

Kamerat e sigurisë që kanë filmuar korridorin e burgut të Prizrenit, ku ka ndërruar jetë aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, janë dërguar për ekzaminim në një laborator në shtetin e Austrisë.

Kështu ka bërë me dije të enjten prokurori i rastit Metush Biraj. Rezultatet e këtyre analizave pritet që shumë shpejtë të kthehen në Kosovë dhe të përmbyllet i gjithë hetimi lidhur me këtë rast.

Prokurori i lëndës Biraj, bënë me dije se hetimet lidhur me këtë rast ende nuk kanë përfunduar, dhe se për momentin po pritet arritja nga Austria analizat e pamjeve që janë filmuar nga kamerat e sigurisë.

“Ende nuk kanë përfunduar hetimet lidhur me rastin Dehari. Jemi thuajse në fund. Për momentin jemi në pritje të një raporti të ekspertizës për rastin e kamerave. Ato janë dërguar për në Austri për ekspertizë. Ne jemi në pritje të tyre”, ka thënë Biraj për Gazetën Express.

Më 5 nëntor të vitit të kaluar, në qendrën e paraburgimit në Prizren ka vdekur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Mjekësia ligjore në Kosovë ka konstatuar se i ndjeri kishte kryer vetëvrasje në qelinë e tij në këtë qendër.

Vetëvendosje kishte hedhur dyshime pas publikimit të pamjeve, në të cilat shihet reagimi i të  burgosurve dhe personelit të burgut në qelinë e Deharit pas përfundimit të aktit. Sipas pamjeve Dehari ka qenë i vetëm në dhomë në momentet kritike.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë lidhur me këtë rast ka suspenduar katër zyrtarë të Burgut në Prizren. Kjo pasi Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë konstatoi neglizhencë në kryerjen e detyrave të tyre, në rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Astrit Dehari, që mbahej i paraburgosur si i dyshuar për terrorizëm.  Në mesin e 4 të suspenduarve është ushtruesi i detyrës së drejtorit të Burgut të Prizrenit, Destan Zogaj./G.H/