Raportuesi për Kosovën në Parlamenti Evropian: S’ka viza pa demarkacion  

Raportuesi për Kosovën në Parlamenti Evropian: S’ka viza pa demarkacion  

Igor Soltes, Anëtar i Parlamentit Evropian i cili sapo është emëruar raportues për Kosovën ka dhënë një intervistë për Europen Western Ballkans në lidhje me ecurinë e Kosovës drejt Bashkimit Evropian si dhe në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën, shkruan Insajderi.

Solters si pengesën më të madhe të Kosovës drejt BE-së e konsideron normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe përfshirjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Si në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, zbatimi i reformave është me rëndësi vendimtare për konsolidimin e institucioneve të Kosovës dhe për ecurinë e këtij vendi në rrugën e saj drejt BE. Për më tepër, normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë është një përparësi kryesore, si dhe përfshirja e plotë e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Soltes më tej ka folur për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi si kusht për liberalizimin e vizave. Ai ka thënë se sa i takon demarkacionit Këshilli është i qartë se nuk do të japë dritën e gjelbër pa ratifikimin e demarkacionit.

“Ratifikimi i kufirit me Malin e Zi është me të vërtetë një nga dy kriteret që nuk janë përmbushur për liberalizimin e vizave. Një tjetër e rëndësishme është edhe lufta efektive kundër korrupsionit në raste të veçanta të nivelit të lartë”.

“Sa i përket liberalizimit të vizave, topi është në anën e Kosovës tani. Unë dyshoj thellësisht se Këshilli mund të japë dritën e gjelbër pa ratifikimin e marrëveshjes kufitare. Politikanët e Kosovës duhet t’i lënë mënjanë dallimet dhe çështjet e brendshme politike dhe të marrin parasysh interesat globale të vendit të tyre”, ka thënë Soltes.

Soltes më tej ka ripërsëritur edhe një herë se krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe është njëra ndër marrëveshjet e arriturat mes Kosovës dhe Serbisë dhe që e cila nuk është realizuar ende. Ndërsa ka shtuar se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është rruga e vetme drejt BE-së për të dy vendet./Insajderi.com