Raportuesi i OKB-së: Të eliminohen ndëshkimet e policisë në qendrat e paraburgimit

Raportuesi i OKB-së: Të eliminohen ndëshkimet e policisë në qendrat e paraburgimit

Një javë pasi Raportuesi Special i OKB-së për torturën dhe trajtimin çnjerëzor, Nils Melzer qëndroi në Prishtinë, i njëjti ka dalë me një raport për trajtimin e të burgosurve që ndodhen në qendrat e paraburgimit në Kosovë.

Eksperti në raportin e tij për burgjet në Kosovë dhe Serbi ka thënë se ka përparime, por thotë se duhen ende angazhime për të luftuar paraburgosjen arbitrare.

Raportuesin Special i Kombeve të Bashkuara për torturën dhe trajtimin ose ndëshkimin e egër, çnjerëzor ose poshtërues, Nils Melzer, gjatë qëndrimit në Kosovë takoi edhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Haradinaj kishte treguar se e ka njoftuar Melzer se në Kosovë ka përkushtim maksimal që personave që bien ndesh me ligjin t’u sigurohen kushte dhe trajtim human dhe të dinjitetshëm, konform standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Megjithatë, kjo nuk e ka bindur krejtësisht raportuesin special të OKB-së. Ai në një raport të përbashkët për trajtimin e të paraburgosurve në Kosovë dhe Serbi, ka gjetur mjaft mangësi, dhe ka bërë thirrje për më shumë përmirësime. Megjithëse, sipas raportuesit Melzer, ka përparime, shkruan Gazeta Express.

Duke treguar se ka përparime, madje edhe ka përgëzuar të dy vendet për përmirësimet, eksperti i OKB-së ka thënë se Kosovë dhe Serbia duhet të bëjnë më shumë punë për shmangien e paraburgimit arbitrar dhe të parandalohen ndëshkimet e policisë në qendra të paraburgimit.

“Serbia dhe Kosova kanë bërë një rrugë të gjatë në përmirësimin e trajtimit të të burgosurve dhe duke i dhënë fund torturës, por ende duhet të bëjnë më shumë për të luftuar paraburgimin arbitrar dhe pandëshkueshmërinë e policisë”, ka thënë raportuesi special i OKB-së për torturën, në të gjeturat faktike që i përmblodhi në një raport, pas vizitës në Prishtinë dhe Beograd.

Si në Kosovë, ashtu edhe në burgjet serbe, raportuesi special ka pranuar ankesa të shumta për keqtrajtim të të paraburgosurve gjatë marrjes në pyetje nga ana e policisë, si mjet për të detyruar pranimin e veprave penale, në veçanti kur ato kanë të bëjnë më narkotikë, terrorizëm dhe krim të organizuar.

“Të dyshuarit raportuan se ishin goditur me shuplaka dhe rrahur me grushte. Kërcënoheshin me armë zjarri dhe u detyruan të pranonin fajësinë për krime të shumëfishta, ndonjëherë në këmbim të dënimeve më të buta apo të lirimit me kusht”, thotë Melzer në raport.