Raporti i “GFI”: Veshkat që transplantohen ilegalisht në Kosovë, shiten për 120 mijë dollarë

Raporti i “GFI”: Veshkat që transplantohen ilegalisht në Kosovë, shiten për 120 mijë dollarë

Një raport i përpiluar nga instituti më prestigjoz në botë për studimet financiare mbi krimin “Global Financial Integrity”, e shfaq Kosovën si një nga shtetet ku bëhet transplantimi ilegal i veshkave.

Në raportin e “Global Financial Integrity”, të titulluar “Krimi Tranzicional dhe Bota në Zhvillim” Kosova është në mesin e vendeve ku bëhet transplantimi ilegal i veshkave. Veshkat që transplantohen në Kosovë vijnë nga Moldavia, ka analizuar “Global Financial Integrity”.

Siç bëhet e ditur në raport, veshkat në Kosovë kanë një çmimi prej 12 mijë dollarësh.

E këto veshka, sipas “GFI”, shiten në Kanada, atje ku çmimi i një veshke shkon deri në 120 mijë dollarë amerikan.

Tregtia ilegale e organeve njerëzore gjeneron nga 840 milionë deri në 1,7 miliardë dollarë çdo vit.

“Edhe pse vetëm një pjesë e të gjitha transplantove të organeve mbështeten në organe që janë siguruar në mënyrë ilegale, të ardhurat nga tregtia ilegale janë të dukshme. Tregtia ilegale e organeve gjeneron përafërsisht nga 840 milionë në 1,7 miliardë dollarë për çdo vit”, shkruhet në raport.

Raporti i “GFI” ka analizuar të ardhurat e gjeneruara për 11 aktivitete kriminale. Sipas tij, biznesi më i madh i ekonomisë së zezë është pirateria dhe tregtimi i mallrave të falsifikuara, përfshirë ilaçet, të cilat në vitin 2014 gjeneruan 1.13 trilionë dollarë të ardhura.

Në nëntor të vitit 2008, në Kosovë u arrestuan disa persona me akuzë për një rrjet të trafikimit të organeve në Prishtinë, gjegjësisht për transplantimin ilegal të veshkave. Në këtë rast, një nga të dyshuarit kryesor ishte shtetasi turk, doktori Jusuf Sonmez. Ai është në kërkim nga organet e drejtësisë së Kosovës.

Në rastin e njohur si “Medicus” janë dënuar urologu dhe pronari i klinikës Medicus, Lutfi Dervishi me tetë vite burg dhe 10 mijë euro gjobë, ndërsa djali i tij Arban Dervishi është dënuar me shtatë vite burg dhe me një gjobë prej dymijë e pesëqind euro. /Insajderi.com

Lexo edhe:

Mjeku turk nga rasti “Medicus”: Në Kosovë erdha për para