Raporti i ekspertëve të pavarur: Dehari vdiq nga asfiksia e dhunshme

Raporti i ekspertëve të pavarur: Dehari vdiq nga asfiksia e dhunshme

Raporti i autopsisë, i bërë nga ekspertët e pavarur, ka konfirmuar se vdekja e Astrit Deharit ka ardhur si pasojë e asfiksisë. Por, në raport thuhet se vdekja e tij ka qenë e dhunshme ndërsa në pikën katër të raportit konkludohet se ka shenja të vetëmbrojtjes nga i ndjeri.

“Lëndimet në kokë, në parakrah e majtë dhe në faqen e jashtme të poshtme të parakrahut të dorës së djathtë, anën e djathtë të qafës, këndin e nofullës se poshtme, janë shkaktuar me mjete të fortë dhe këto klasifikohen si lëndime trupore me natyrë më shumë si shenja të vetëmbrojtjes”, thuhet në raport.

“Vdekja është e dhunshme dhe e menjëhershme ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike të dhunshme (traumatike)”, thuhet në raport.

Në raport jepen detaje të tjera lidhur me lëndimet trupore të Deharit.

“Mbyllja e laringu (me fundin e gojës) një ngufatje e tillë kryhet gjatë dhunimit zakonisht me qëllim të pengimit të britmës për ndihmë të viktimës së sulmuar tek të rrituri. Asfiksi mekanike e shkaktuar nga mbyllja e vrimës së gojës pa mbyllur vrimat e hundës nuk para ndodhin zakonisht…”, thuhet në raport.

Duke komentuar të gjeturat e raportit, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, tha se Astrit Dehari nuk ka kryer vetëvrasje por ai është vrarë.

Sipas tij, shishja e plastikës që i ka zënë frymën Deharit është futur në gojë me forcë.

astriti-12112

Të dhënat e raportit të sotëm bien ndesh me raportin e komisionit mjekësor që përgatiti raportin e parë për vdekjen e tij, përmes së cilit konstatohej se Dehari ka bërë vetëvrasje.

Në atë raport thuhet se “vdekja e tani të ndjerit Astrit Dehari ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike nga mbyllja (bllokimi) i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti me konsistencë valide (të fortë)” dhe se kjo është vetëshkaktuar nga tashmë i ndjeri.

I ndjeri Dehari ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ishte arrestuar më 30 gusht të këtij viti nën dyshimin se së bashku me aktivistë të tjerë të kësaj partie kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës me armë.  Ai vdiq më 5 nëntor.

Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi që nga koha kur u dha lajmi për vdekjen e tij ka hedhur dyshime për rrethanat që kanë shkaktuar vdekjen.

Prej pasdites kur u dha lajmi se në qendrën e paraburgimit në Prizren, kishte vdekur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje që mbahej nën dyshimet se kishte bashkëorganizuar sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, janë organizuar një numër marshesh e protestash./Insajderi.com