Raporti “Bulliqi” mbetet veç dokument në sirtar

Raporti “Bulliqi” mbetet veç dokument në sirtar

Ramush Haradinaj është pajtuar me qëndrimin e LDK-së për ta vendosur raportin e Shpjetim Bulliqit vetëm si raport informues në Marrëveshjen e Demarkacionit, e cila votohet të mërkurën.

Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, LDK dhe Behgjet Pacolli kanë konfirmuar sot se kanë arritur marrëveshje për ta votuar Marrëveshjen e Demarkacionit, në seancën e radhës që mbahet të mekurën.

Por, vetëm Zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli ka sqaruar se marrëveshja është arritur pasi Kryeministri është pajtuar me kushtin e LDK’së, e cila ka kërkuar që Raporti i Shpejtim Bulliqit të jetë vetëm infiormues e orientues në Marrëveshjen e Demarkacionit.

“Kryeministrit ka pranuar që marrëveshja të votohet ashtu siç ka kërkuar LDK-ja”, ka thënë Pacolli, në një bisedë për Express, e i cili ka konfirmuar i pari për marrëveshjen.

Ndërkaq, Kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar arritjen e marrëveshjes. Por, nuk e ka sqaruar deri në fund. E ka përmendur vetëm faktin se Raporti i Shpejtim Bulliqit do të jetë pjesë e Marrëveshjes së Demarkacionit. Pa dhënë detaje se në çfarë cilësie do të jetë ky dokument.

“Qytetarëve të Republikës së Kosovës ua konfirmoj se nga koalicioni qeverisës është mënjanuar pengesa e fundit politike, që siguron unitet politik në parlament. Ligji përmban Marrëveshjen e gushtit 2015, deklaratën e përbashkët të dy presidentëve, Thaçi dhe Vujanoviç, si dhe Raportin e Komisionit Shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi”, ka shkruar Haradinaj.

Në anën tjetër, Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu, ka thënë për Express se e përshëndesin arritjen e pajtimit që marrëveshje të votohet sipas kërkesave të partisë më të madhe në Kosovë, LDK-së. Ka thënë se Marrëveshja do të votohet bazuar në dokumentin e nënshkruar më 2015 me Malin e Zi, deklaratën e Presidentit dhe raportin e Bulliqit në cilësinë e dokumentit informues për deputetët.

“Falënderoj Kryeministrin Ramush Haradinaj për konstruktivitetin dhe mirëkuptimin që ka pasur për këtë takim që kemi pasur sot. Definitivisht, mund të konsiderohet se ky problemin dhe divergjencat mes LDK-së dhe Kryeministrit janë zgjedhur. Nuk do të ketë asnjë problem”, kishte thënë Pacolli pak minuta pasi ishte arritur marrëveshja me Haradinajn.

Ndërkohë, demarkacioni dështoi dy herë, në dy seancat e fundit, pasi LDK e AAK nuk pajtoheshin lidhur me përmbajtjen e dokumentit që do të miratohej në Parlament. Partia e Isa Mustafës kërkonte që raporti i Shpejtim Bulliqit të ishte vetëm informues, ndërsa, Haradinaj kërkonte që i njëjti të ishte obligues.

Bashkë me Marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në vitin 2015 do të ratifikohet në Parlament edhe dokumenti i nënshkruar nga Presidenti kosovar dhe ai malazez, i cili saktëson se mund të bëhen përmirësime të shënimit të vijës kufitare nëse gjenden fakte të reja.

Marrëveshja e arritur më 2015 kishte dështuar të ratifikohej pasi AAK, NISMA dhe Vetëvendosjes kishin kundërshtuar me arsyetimin se Kosova humbë tokë. Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrim derisa kanë paralajmëruar votën kundër.